Lirohet kapitenia e anijes humanitare

Bota

Lirohet kapitenia e anijes humanitare

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 09:41
Kapitene

Pas 4 ditë arresti shtëpiak, Gjykata e Agrigentos ka lënë të lirë kapitenen e anijes humanitare Sea Watch, gjermanen Carole Rackette. Vendimi i gjykatës erdhi në kundërshtim me kërkesën e prokurorisë e cila e kishte vënë nën 3 akuza: favorizim emigracioni klandestinë, shkelje e urdhrit të autoriteteve italiane për të hyrë në portin e Lampeduzës dhe rezistencë ndaj anijes së flotës detare të Guardia di Finanza Italiane.

Për Gjykatën e Agrigentos, 31 vjeçarja Carole Rackete, pa mundësi zgjedhje ka qenë e detyruar të hyjë në portin e Lampeduzës dhe nuk ka instrumentalizuar vendimin e saj. Portet në Tunizi e Libi nuk ishin të sigurta për zbarkimin e emigrantëve. Gjithashtu për gjykatësit italianë hidhet poshtë akuza e rezistencës së Sea Watch ndaj anijes së Guardia di Finanza bie poshtë pasi ky mjet lundrues nuk është një anije lufte.

I fortë dhe i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini i cili shprehet se: “Më vjen turp për magjistraturën italiane. Nuk kam fjalë. Për magjistraturën injorimi i ligjeve nuk është motiv për të shkuar në burg. Më vjen turp nga ata që lejojnë që një shkelës ligji e shtetas i huaj vë në rrezik jetën e ushtarakëve që kryejnë detyrën e tyre.”

Ndërkohë Prefekti i Agrigentos ka firmosur urdhrin e dëbimit të gjermanes 31 vjeçare nga territori italian e cila duhet të riatdhesohet brenda datës 9 korrik.

“Rroftë solidariteti i të gjithë italianëve ndaj anijes Sea Watch e emigrantëve. Jam e lehtësuar nga vendimi i gjykatësve që unë e interpretoj si një fitore të solidaritetit të njerëzve ndaj emigrantëve e azilkërkuesve e kundër kriminalizimit të ndihmës në shumë vende,”-tha menjëherë pas lirimit të saj gjermania Carole Rackete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat