Fuqitë botërore kërkojnë nga Irani që t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore

Bota

Fuqitë botërore kërkojnë nga Irani që t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore

Më: 3 korrik 2019 Në ora: 09:40
Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe të Francës dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së

Fuqitë botërore kanë kërkuar nga Tehrani zyrtar që ta respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 një ditë pas vërtetimit se Irani e ka tejkaluar limitin për sasinë e uraniumit të pasuruar, i cili i ishte caktuar përmes kësaj marrëveshjeje.

Përmes një deklaratë të përbashkët që u publikua të martën, ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe të Francës dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së kërkuan nga Irani që të përmbahet nga veprimet tjera që e minojnë marrëveshjen bërthamore.

“Kemi qenë të qartë dhe të qëndrueshëm se përkushtimi ynë ndaj marrëveshjes bërthamore varet nga zbatimi i saj i plotë nga Irani”, thuhet në këtë deklaratë.

Për më tepër, presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu i ka bërë thirrje Iranit që menjëherë të tërhiqet nga ky tejkalim dhe t’i respektoj obligimet bërthamore.

Përndryshe, një zëdhënës i kryeministres britanike, Theresa May, ka thënë se qeveria e këtij shteti urgjentisht po e shqyrton marrjen e masave të ardhshme.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore njoftoi të hënën se inspektorët e saj e kanë vërtetuar praninë e 300 kilogramëve të uraniumit, duke i nxjerrë si të sakta paralajmërimet e mëparshme të zyrtarëve iranianë.

Në maj të këtij viti, zyrtarët iranianë njoftuan se e kanë rritur sasinë e prodhimit të uraniumit të pasuruar si kundërpërgjigje ndaj kthimit të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes së këtij shteti nga marrëveshja bërthamore, shkruan “Free Europe".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat