Irani kërcënon me konfiskimin e një cisterne britanike të naftës

Bota

Irani kërcënon me konfiskimin e një cisterne britanike të naftës

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 14:05
Cisterna Grace 1 në Gjibraltar

Një zyrtar iranian tha se do të konfiskohet një cisternë britanike e naftës, nëse një anije e ndaluar e Iranit nuk lirohet.

Të enjten, marinsat britanikë u ndihmuan zyrtarëve në Gjibraltar të kapin super-cisternën Grace 1, pasi dyshohej se ajo bartte naftë nga Irani në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Irani më pas thirri në bisedë informative ambasadorin britanik në Teheran, të cilit i tha se ky veprim është "një formë e piraterisë".

Mohsen Rezaei, këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Irani do t'i përgjigjet konfiskimit të anijes "pa hezitim".

"Nëse Britania nuk e liron cisternën iraniane, është detyrë e autoriteteve të kapin një cisternë britanike", tha Rezaei në një postim në Twitter.

Forcat britanike u tha se ndihmuan Gjibraltarin, me kërkesë të këtij të fundit.

Gjibraltari tha se kishte arsye për të besuar se anija po bartte naftë të papërpunuar iraniane drejt qytetit të Sirisë, Tartous.

Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe i hodhi poshtë pretendimet për pirateri.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se konfiskimi i anijes është "lajm i shkëlqyer".

Ai shtoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vazhdojnë t'i pengojnë regjimet në Teheran dhe Damask "të përfitojnë nga tregtia e paligjshme".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat