May i jep mbështetje ambasadorit britanik në SHBA

Bota

May i jep mbështetje ambasadorit britanik në SHBA

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 08:35
Donald Trump/Kim Darroch

Kryeministrja Theresa May i ka dhënë mbështetje ambasadorit britanik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pas paralajmërimit të Donald Trump se nuk do të punojë më me të.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një skandal diplomatik pas rrjedhjes në media të disa kabllogrameve.

Në kabllogramet që datojnë që nga viti 2007 deri në ditët e sotme, ambasadori britanik në SHBA, Kim Darroch, thotë se administrata Trump është “e ngathët dhe e paaftë në diplomaci”.

Pavarësisht se hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller nuk gjetën prova bashkëpunimi midis ekipit zgjedhor të Trump dhe Rusisë, ambasadori Kim shkroi në kabllograme se "më e keqja nuk mund të përjashtohet".

Megjithatë, një zëdhënës i kryeministres përmes një deklarate tha se Britania i ka shprehur keqardhje amerikanëve për këtë rrjedhje dhe se raporti mes dy vendeve nuk do të ndryshojë.

Sipas tij, informacionet nuk ndikojnë në marrëdhënien e tyre dhe vlerat e përbashkëta që përfaqësojnë, por ambasadori duhet të jetë i sinqertë në vlerësimet e tij dhe informacionet që i jep shtetit.

Për rrjedhjen e kabllogrameve reagoi edhe vetë presidenti amerikan Donald Trump. Duke folur për gazetarët, presidenti, tha se ambasadori Darroch "nuk i ka shërbyer mirë vendit të tij" dhe se nuk dëshiron të ketë punë më me të.

Ministria e Jashtme britanike ka nisur një hetim formal për ngjarjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat