Franca mbron ambientin, “eko-taksë” për fluturimet nga viti 2020

Bota

Franca mbron ambientin, “eko-taksë” për fluturimet nga viti 2020

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 13:16
Foto

Nga 2020-ta fluturimet nga Franca do të jenë ekologjike. Qeveria e Parisit njoftoi vendosjen e një ekotakse që do të variojë nga 1.5 deri ne 18 euro në biletat e fluturimeve që nisen nga Franca.

Masa e re, e vendosur gjatë mbledhjes së dytë të këshillit të mbrojtjes ekologjike në pallatin e Elizesë, do të përfshihet në ligjin financiar të 2020-tës dhe do të aplikohet tek të gjitha kompanitë ajrore. Për fluturimet e brendshme dhe europiane, ekotaksa do të jetë 1.5 euro në klasin ekonomik dhe 9 euro në atë të biznesit, ndërsa për ato jashtë Bashkimit Europian 3 dhe 18 euro.

Sipas përllogaritjeve të ekzekutivit, taksa duhet të gjenerojë një total prej 182 milion eurosh në arkat e shtetit, duke nisur nga 2020-ta. Paratë sipas ministres së transportit do të përdoren për investime në infrastruktura më ambientaliste e moderne, veçanërisht në sektorin hekurudhor.

“Vetëdija po rritet, gjërat po fillojnë të lëvizin, por kjo është urgjente. Ashtu si disa vendet e tjera ne kemi vendosur të aplikojmë një ekotaksë në transportin ajror në të gjitha fluturimet që nisen nga Franca”, deklaroi ministrja e Transportit Elisabeth Borne.

Qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron synon të shtrëngojë rregullat mjedisore por u detyrua të heqë dorë nga përpjekja për rritjen e taksave të naftës pas protestave të jelekëve të verdhë.

Parisi po bashkëpunon me Holandën për të bindur shtetet europiane të taksojnë më udhëtimet ajrore, në mënyrë që të reduktohen emetimet e dioksidit të karbonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat