Ukraina konfiskon një tanker rus pranë qytetit Odesa

Bota

Ukraina konfiskon një tanker rus pranë qytetit Odesa

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 16:33
Foto

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka ndaluar një tanker rus në portin Izmail pranë qytetit ukrainas Odesa gjatë konfrontimit në Ngushticën Kerch, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fund të nëntorit të vitit 2018, Rusia konfiskoi dy anije të marinës ukrainase dhe një rimorkio detare, së bashku me 24 anëtarë të ekuipazhit, pasi hynë në ujërat e saj në Ngushticën Kerch.

Tankeri rus “Nika Spirit” u identifikua nga shërbimi i posaçëm ukrainas si tankeri Neyma, i cili pretendohet se bllokoi anijet ukrainase në Ngushticën Kerch vitin e kaluar.

“Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës së bashku me Prokurorinë Ushtarake ndaluan Neyma-n, e cila kishte bllokuar anijet ushtarake të Ukrainës në Ngushticën Kerch”, tha SBU në një njoftim me shkrim.

“Tankeri i konfiskuar konsiderohet një element dëshmie pasi SBU po përgatit një peticion në gjykatë për ndalimin e saj”, shtoi SBU.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se ambasada e vendit po heton rrethanat e incidentit.

“Nëse bisedohet për marrjen e rusëve si peng, ajo do të kualifikohet si një shkelje e rëndë e të drejtës ndërkombëtare dhe pastaj do të ketë pasojat e saj së shpejti”, u tha një burim i ministrisë ruse gazetarëve në Moskë.

Burimi po ashtu shtoi se ngjarja nuk do të kontribuojë në lirimin e detarëve ukrainas të cilët aktualisht janë në një qendër paraburgimi në Moskë.

Rusia dhe Ukraina kanë mbetur mes mosmarrëveshjeve që nga viti 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB), përfshirë edhe Turqinë, aneksimin e konsideruan si të paligjshëm.

Ukraina poashtu fajësoi Kremlinin për dhunë separatiste në lindje të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë.

Situata u rëndua më tej pas rrëzimit të avionit të pasagjerëve të MH17 të “Malaysian Airlines” në lindje të Ukrainës, që udhëtonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.

Kievi e hodhi përgjegjësinë ndaj militantëve pro-rusë në Donbas. Nga ana tjetër, Moska akuzon Ukrainën për rrëzimin e avionit të pasagjerëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat