Ambasadori amerikan: Marrëdhëniet me Rusinë më të vështirat në vite

Bota

Ambasadori amerikan: Marrëdhëniet me Rusinë më të vështirat në vite

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 19:22
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman, ka dhënë dorëheqje pas dy vitesh në pozitën më të lartë të diplomacisë amerikane në Moskë. Ai e ka quajtur kohën që shërbeu si ambasador një nga periudhat më të vështira në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Në seancën e thirrur në Senat për emërimin e tij para dy vitesh, kandidati i atëhershëm i emëruar si ambasador në Rusi, Jon Huntsman, ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë.

“Nuk kam iluzione se të shërbesh si ambasador i SHBA-së në Rusi është e lehtë dhe e thjeshtë. Marrëdhëniet tona janë sfida më e rëndësishme dhe e komplikuar në politikën e jashtme”, u shpreh në atë kohë thënë ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman.

Pikërisht këto vështirësi bën që ai të largohet dy vite pasi udhëhoqi misionin diplomatik në Rusi. Zoti Huntsman shërbeu në Moskë në kohën kur agjencitë inteligjente amerikane thanë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe një komision i veçantë hetoi lidhjet midis Moskës dhe fushatës së kandidatit të atëhershëm, tani presidentit Donald Trump.

“Në shumë mënyra, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përcaktuar nga hetimet e akuzave ndaj Rusisë dhe konsensusi nga të dy partitë në Kongres se duhet të kufizojmë angazhimin dhe marrëdhëniet tona me Moskën për shkak të aktiviteteve të tyre kundër nesh”, tha Mark Simakovsky nga Këshilli i Atlantikut.

Në letrën e tij të dorëheqjes, zoti Huntsman ofron disa këshilla për pasuesit e tij ku thotë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse kur veprimet e saj kërcënojnë SHBA-në ose aleatët e tyre.

Para Rusisë ai kishte shërbyer si ambassador në Kinë e Singapor.

Ka zëra se ai mund të futet në garë për guvernator në shtetin Utah, një post këtë që e kishte dikur.

Largimi i tij vjen në kohën e përdorimit të dhunës nga Kremlini kundër protestuesve, të udhëhequra nga mbështetësit e kandidatëve të partive opozitare të përjashtuara nga gara për këshillin bashkiak të Moskës.

Policia ruse ka arrestuar më shumë se 1 mijë persona. Pamjet e forcave të rendit duke rrahur qytetarë të shtrirë në tokë, kanë marrë vëmendje globale. Në letrën e dorëheqjes së tij, zoti Huntsman i bën thirrje Rusisë të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat