Sekretet, ‘blloku i zi’ i Epstein po trondit të fuqishmit e botës

Bota

Sekretet, ‘blloku i zi’ i Epstein po trondit të fuqishmit e botës

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 21:48
Ilustrim

‘Sikur ta dinit sa shumë material të pakëndshëm kam për shumë persona të fuqishëm...’.

Ai që flet, fiks një vit më parë, ishte Jeffrey Epstein, në një bashkëbisedim të gjatë me James Stewart të New York Times.

I akuzuar për abuzime me të mitura dhe shfrytëzim prostitucioni minoren, nuk e fshihte që kishte informacion të sikletshëm e kompromentues për prirjet seksuale dhe për përdorimin e drogës nga ana e personaliteteve të politikës, spektaklit, modës, financës.

Pra, nga e gjithë ajo botë, që nga New York, Hollywood, Palm Beach, duke kaluar përmes Parisit e Ishujve Virgin, rrotullohej rreth festave të mëdha e të vogla që financieri i vetëvrarë organizonte në shtëpitë e tij.

Dhe tani që miliarderi nuk është më, janë të shumtë ata që dridhen, ndoshta më tepër se më parë, sepse në rrethin e hetuesve dhe agjentëve është kthyer ‘black book’, blloku i zi i Epstein që më tepër se bllok kontaktesh ngjan me një listë të zezë të mirëfilltë.

Listë e publikuar më 2015 dhe e vjedhur nga shtëpia e financierit nga një punonjës që tentoi më kot ta shiste. Brenda, sipas New York Magazine, ka gjithçka, qindra e qindra emra, nga ato të viktimave të abuzimeve seksuale deri te kontaktet e punës e shoqërore.

Ashtu siç ishte plot emra regjistri i fluturimeve i avionit të tij privat, ‘Lolita Express’, me të cilin merrte miqtë në ishullin privat në Karaibe.

Në Isle of Sin, ishulli i mëkatit, ku në orët e fundit ka nisur aksioni i FBI-së për të gjetur gjurmë të asaj çka ndodhte realisht, elementë që mund të shndërrohen në prova në kursin e hetimeve.

Lista e emrave është pa fund dhe tregon se sa i madh ishte rrjeti i miliarderit njujorkez. Një rrjet që me shumë gjasa i krijoi mundësinë t’u mbijetonte për dekada akuzave të rënda sikur të mos ekzistonin fare, me pandëshkueshmëri e njëherazi duke mbajtur lart kredibilitetin.

Lista ka numra, adresa banimi e email të personazheve të botës së kinemasë e spektaklit, si Woody Allen, Kevin Spacey, Bill Cosby, të gjithë të zhytur në skandale seksuale. Ka emra yjesh të muzikës, si Mick Jagger, e të figurave të lidhura me monarkinë britanike, si Principi Andrew i Anglisë, mik personal i Epstein, e i ish-gruas së tij, Sarah Ferguson, së cilës financieri amerikan i kishte huazuar 18 mijë dollarë për të larë një borxh.

Është edhe emri i Charles Spencer, vëllai i Lady Diana. Më tej, personalitete të kalibrit të Tony Blair, Michael Bloomberg, Richard Branson, Rupert Murdoch, madje edhe Henry Kissinger e Ted Kennedy.

Në bllokun e zi është edhe vetë Trump dhe një seri personazhesh të lidhur me të: nga Steve Bannon te miliarderi Tom Barrack.

Pikërisht Trump, Barrack dhe Epstein në vitet ’80-’90 thirreshin ‘tre musketierët’, ndonëse sot të gjithë mbajnë distancë nga financieri i vetëvrarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat