ANEB: Irani po instalon centrifuga të avancuara

Bota

ANEB: Irani po instalon centrifuga të avancuara

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 14:32
Foto ilustrim

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) konfirmoi se Irani ka nisur instalimin e centrifugave të avancuara, që përdoren për pasurimin e uraniumit.

Kjo është një tjetër shkelje e obligimeve që ka Irani me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.

Agjencia tha se centrifugat e instaluara pritet të testohen me uranium heksaflorid, ose UF6.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ANEB-it, Cornel Feruta, i cili vizitoi Teheranin në fundjavë, tha se inspektorët do të vazhdojnë të verifikojnë dhe monitorojnë hapat e Iranit.

Uraniumi i pasuruar në një shkallë të ulët mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për termocentralet bërthamore.

Uraniumi i shkallës së armëve është 90% i pasuruar ose më shumë.

Teherani këmbëngul se ambiciet e tij bërthamore janë thjesht civile.

Javë më parë, Irani ka shkelur kufirin prej 300 kilogramësh për sasinë e uraniumit të pasuruar, i cili i është vënë me marrëveshjen bërthamore.

Këta hapa vijnë në përgjigje të sanksioneve që Uashingtoni i ka vënë Teheranit, prejse është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, vitin e kaluar.

Sanksionet kanë bërë që eksportet e naftës në Iran të bien, vlera e monedhës së tij po ashtu të bie, ndërsa norma e inflacionit të rritet.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se shkeljet e marrëveshjes bërthamore janë të kthyeshme - në varësi të nënshkruesve të tjerë që i ofrojnë lehtësime ekonomike.

Vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes janë: Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, sepse ajo nuk ka qenë mjaftueshëm e ashpër sa për të parandaluar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat