Fati i Idlibit në diskutimet e Turqisë, Rusisë e Iranit

Bota

Fati i Idlibit në diskutimet e Turqisë, Rusisë e Iranit

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 07:07
Idlibi

Presidentët e Turqisë, Iranit dhe Rusisë do të takohen të hënën në Ankara, në kuadër të Procesit të Astanas, që i mbledh të tre vendet rregullisht për t’u përpjekur t’i gjejnë zgjidhje konfliktit të Sirisë. Fati i enklavës së fundit të kryengritësve, në Idlib pritet të jetë në krye të rendit të ditës. Forcat qeveritare siriane janë përgatitur për mësymje në Idlib. Ndërkohë, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, Ankaraja po paralajmëron një katastrofë humanitare.

Gjatë javëve të fundit, forcat qeveritare siriane po godasin pa ndërprerje vatrat e kryengritjes në Idlib.

Shumë nga tre milionë banorët e enklavës po largohen drejt kufirit turk.

Pritet që përparësia kryesore e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kur të presë homologun rus dhe atë iranian, do të jetë shmangia e një krize humanitare.

"Situata është shumë kritike. Kjo situatë e papranueshme vazhdon prej kohësh. Përse? Dimri po afron,” thotë profesori i universitetit “Yeditepe”, Mesut Casin.

Turqia strehon aktualisht katër milionë sirianë dhe Presidenti Erdogan ka paralajmëruar se nuk mund të pranojë më shumë.

Me shtimin e pakënaqësisë së publikut në Turqi ndaj refugjatëve sirianë, autoritetet kanë filluar të kapin sirianë pa dokumente. Presidenti Erdogan pritet të kërkojë ndihmë nga presidenti rus për të parandaluar një eksod të ri nga Idlibi.

Megjithëse Turqia dhe Rusia mbështesin anë opozitare në këtë konflikt, udhëheqësit e të dy vendeve kanë vazhduar të bashkëpunojnë për këtë problem, në kuadër të përpjekjeve për marrëdhie më të mira.

"Takimi në Ankara vetëm do të vonojë atë që është e pashmangshme në Idlib. Nuk diskutohet që Idlibi do të vihet nën kontrollin e shtetit sirian dhe të regjimit të Asadit. Ushtria siriane nuk ka fuqi ta dëbojë ushtrinë turke nga Siria. Por Siria ka mbështetjen e rusëve. Të gjitha palët, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, tani duan të kalojnë në etapën tjetër, në hartimin e kushtetutës së re,” thotë ish-diplomati turk, Aydin Selcen.

Turqia po forcon praninë ushtarake në Idlib. Kjo rrit kërcënimin për një përplasje të mundshme mes forcave turke e siriane.

"Kemi një kërcënim të ri, që Turqia dhe Siria do të përplasen ushtarakisht, ndërsa Rusia si vend garantues do të jetë përgjegjëse për këtë situatë. Shpresoj që Presidenti Putin të tregohet i mençur dhe të mos dojë të humbë lidhjet me Turqinë, pasi një situatë e tillë do të sillte fundin e partneritetit Turqi-Rusi,” thotë profesor Casin.

Kritikët e Procesit së Astanas thonë se këto takime nuk kanë sjellë përparim për situatën në Siri. Por me kërcënimin e një krize humanitare dhe sigurie në Idlib, pasojat e pasivitetit në takimin e së hënës do të ishin madhore./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat