Toka në rrezik: 5 vjetët e fundit - më të ngrohtit në histori - Bota Sot
Toka në rrezik: 5 vjetët e fundit - më të ngrohtit në histori

Bota

Toka në rrezik: 5 vjetët e fundit - më të ngrohtit në histori

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 23:00
Ilustrim

Pesë vjetët e fundit janë periudha më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në planet, njoftuan Kombet e Bashkuara përpara samitit të klimës që do të mbahet në prani të 60 liderëve botërorë në Nju Jork.

Temperatura mesatare në 2015-2019 është më e lartë 1.1 gradë Celsius në raport me periudhën 1850-1900, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë.

Të dhënat e fundit konfirmojnë tendencën e katër vjetëve të mëparshme, të cilat tashmë kanë qenë më të ngrohtat të regjistruara që nga viti 1850.

Korriku 2019 u karakterizua nga më shumë valë të nxehta sidomos në Evropë, duke thyer rekordin absolut të temperaturave.

Qymyri, nafta dhe gazi vazhduan të rriten gjatë gjithë vitit 2018. Emetimet e gazit serë janë rritur, dhe do të jenë të paktën në të njëjtin nivel sikurse më 2018, sipas shkencëtarëve që punojnë në këtë raport të KB.

Përqendrimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë pritet të arrijë një kulm të ri deri në fund të vitit 2019, sipas të dhënave paraprake - 410 pjesë për milion.

Sipas angazhimeve të tanishme të vendeve për të zvogëluar emetimet e tyre, planeti ynë do të jetë më i ngrohtë ndërmjet 2.9 dhe 3.4 gradë Celsius deri në vitin 2100.

Nga kjo rrjedh se përpjekjet e vendeve për të luftuar gazrat e dëmshme duhet të rriten për të mbajtur ngrohjen në plus 1.5 gradë Celsius siç parashikohet në Traktatin e Parisit 2015.

Në realitet, ngrohja mund të jetë edhe më e lartë, sipas modeleve të fundit të klimës, siç janë ato të parashikuara nga një ekip francez, sipas të cilit skenari i rastit më të keq mund të jetë rritja e temperaturës për 7 gradë Celsius.

"Përçarja nuk ka qenë kurrë aq e madhe midis asaj që bota dëshiron të arrijë dhe realiteteve të planeve të vendeve për klimën", paralajmërohet në raport.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dëshiron të fillojë mbylljen e kësaj ndarjeje duke mbledhur 60 liderë në OKB të hënën, përpara seancës vjetore të Asamblesë së Përgjithshme dhe tre ditë pas demonstratave të mëdha rinore për ruajtjen e klimës në gjithë botën.

“Shumë udhëheqës duhet të premtojnë se do të arrijnë emetimet zero deri në vitin 2050”, tha Guterres.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...