Polemikat për hetime ose jo të përfshirjes së Bidenit në Ukrainë

Bota

Polemikat për hetime ose jo të përfshirjes së Bidenit në Ukrainë

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 16:49
Donald Trump dhe Joe Biden

Presidenti amerikan Donald Trump pranoi se kishte folur për çështjet e korrupsionit me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, por nuk tha nëse se kishin biseduar për hetimin e kandidatit demokrat për president Joe Biden.

Një njoftim i gazetës Wall Street Journal thotë se presidenti Trump e nxiti zotin Zelenskiy tetë herë të hetonte zotin Biden dhe djalin e tij Hunter, nëse një kompani ukrainase gazi u përpoq të fitonte favore duke punësuar Hunter Bidenin kur Joe Biden shërbente si nënpresident në administratën e Barack Obamës.

Njoftimet thonë se presidenti Trump ishte përpjekur ta bindëte presidentin Zelenskiy të bashkëpunonte me avokatin e tij, Rudolph Giuliani, për të hetuar djalin e zotit Biden dhe vetë ish-nënpresidentin.

Presidenti Trump foli para gazetarëve të dielën.

“Nuk dua të flas shumë. E dimë që nënpresidenti Biden bëri një gabim të madh, ashtu siç tha ai. Nuk po kërkoj t’a ndjek atë ligjërisht për asgjë, nuk po kërkoj ta dëmtoj atë përmes djalit të tij. Joe ka shumë probleme, ka mjaft probleme edhe pa të.Por ajo çfarë tha është shumë e keqe. Ai tha ‘nuk do të jap miliarda dollarë për Ukrainën po qe se nuk heqin prokurorin’ dhe ata e hoqën prokurorin brenda një ore”, tha presidenti.

Hunter Biden ka thënë se nuk ka qënë objekt i asnjë hetimi dhe nuk ka asnjë provë për ndonjë shkelje.

Joe Biden dukshëm i inatosur, u tha gazetarëve të shtunën “vërtet nuk ka fund” gatishmëria e Presidentit Trump për të abuzuar me pushtetin.

“Unë di këtë. Di që Trumpi e meriton të hetohet. Ai po shkel çdo normë bazë të një presidenti. Duhet ta pyesni; përse merr në telefon një udhëheqës të huaj dhe përpiqet ta frikësojë? Ai po abuzon me pushtetin dhe me çdo element të presiencës duke u përpjekur të bëjë diçka për të më dëmtuar mua. Të gjithë e kanë shqyrtuar këtë rast dhe të gjithë kanë thënë se s’ka asnjë shkelje”.

Polemika filloi javën e kaluar kur dolën njoftime se një kallëzues i paidentifikuar në komunitetin e inteligjencës kombëtare u alarmua për një seri veprimesh brenda administratës Trump. Ato përfshijnë atë që tani dihet se është thirrja telefonike e zotit Trump me Presidentin Zelenskiy.

Informatori kontaktoi inspektorin e përgjithshëm të inteligjencës, i cili e quajti ankesën “serioze” dhe “urgjente”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat