Qëllimi i vizitës së Maduros në Rusi

Bota

Qëllimi i vizitës së Maduros në Rusi

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 22:21
Nicholas Maduro dhe Vladimir Putin

Udhëheqësi venezuelian Nicholas Maduro shkoi në Rusi dhe u largua pa nënshkruar asnjë marrëveshje të rëndësishme dhe pa u bërë asnjë njoftim. Megjithatë, vëzhguesit thonë se vizita pati një synim shumë të qartë: marrjen e mbështetjes së dukshme të Kremlinit si kundërpeshë ndaj kërkesave ndërkombëtare për largimin e Maduros. Siç njoftojnë nga Moska korrespondentët e Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina dhe Olga Pavlova, analistët e shikojnë vizitën si një shenjë se Presidenti rus Vladimir Putin duket i gatshëm ta mbështesë Maduron, megjithë thirrjet për largim.

Nicolas Maduro takohet me Vladimir Putinin, Presidentin e Rusisë, vendi që së bashku me Kinën janë aleatët e mëdhenj të udhëheqësit venezuelian.

Takimi ndihmoi në zbutjen e goditjes së sanksioneve të reja kundër zyrtarëve të qeverisë Maduro, qeveri e cila është mbështetur nga zoti Putin përgjatë gjithë krizës...

“E dini se Rusia mbështet vazhdimisht të gjitha autoritetet legjitime, përfshirë institucionet presidenciale dhe parlamentare”, tha zoti Putin.

Rusia ka investime domethënëse në Venezuelë dhe është ndër kreditorët kryesorë të vendit. Zoti Maduro bëri thirrje për më shumë investime.

“Janë disa fusha që po hapen, si ushqimet, kujdesi shëndetësor, energjia dhe shumë të tjera”, tha zoti Maduro.

Analistët politikë rusë thonë se vizita pati qëllim të tregojë se Venezuela mund të mbështetet ende tek mbështetja e Kremlinit dhe se çështjet ekonomike ishin më pak të rëndësishme.

“Nuk mendoj se takimi u përshkua nga çështjet ekonomike. Aktualisht është shumë e komplikuar të investohet në ekonominë Venezueliane. Pikë së pari, pala venezueliane nuk do të jetë në gjendje të garantojë investimet tona. Së dyti, në rrethanat e sanksioneve ekonomike, është shumë i komplikuar zbatimi i marrëveshjeve që mund të nënshkruhen”, thotë Dmitry Rosental, i Institutit të Amerikës Latine.

Në klimën e tensionuar aktuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, qëllimi i vizitës ishte i qartë, thonë analistët.

“Qeveritë Maduro dhe Chavez kanë qenë aleatë politikë domethënës. Ata e mbështetën Rusinë për çështje shumë të komplikuara ndërkombëtare, si njohja e Osetisë Jugore dhe Abkazisë, apo kriza e Krimesë. Në këtë kuptim, Venezuela është një aleat i rëndësishëm politik për Rusinë”, thotë zoti Rosental. Analistët thonë se vizita e Maduros në Rusi ka pak gjasa të përmirësojë kushtet ekonomike për njerëzit në Venezuelë. Por, vizita u tregoi kundërshtarëve të tij të brendshëm dhe Shteteve të Bashkuara se ai ka ende miqësinë e fuqishme të Kremlinit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat