Pakistani paralajmëron sërish për mundësinë e një lufte bërthamore për Kashmirin

Bota

Pakistani paralajmëron sërish për mundësinë e një lufte bërthamore për Kashmirin

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 00:02
Pakistani

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan të premten përsëriti paralajmërimin e tij për mundësinë e një lufte bërthamore me vendin fqinj Indinë, për shkak të krizës së gjatë në rajonin e diskutueshëm Xhamu dhe Kashmir.

Paralajmërimet e Khan-it që bëri jehonë gjatë adresimit të tij të shumëpritur në seancën e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në New York, erdhën disa orë pas presionit të presidentit të SHBA-së ndaj New Delhit për të hequr bllokadën disa javëshe në rajonin e diskutueshëm.

Tensionet në mes të dy vendeve fqinje aziatike me armë bërthamore u përshkallëzuan disa javë më parë kur qeveria indiane revokoi statusin special të Xhamu dhe Kashmirit më 5 gusht.

Që nga kjo kohë, rajoni ka qenë në një bllokadë pothuaj se të plotë pasi qeveria indiane bllokoi komunikimin dhe vendosi kufizime të lëvizjes për të parandaluar protestat në rajon.

Me qindra kashmiras dhe sikhas ishin mbledhur para selisë së OKB-së në New York për të kundërshtuar hapin kundërthënës të Indisë. Fjalimi i Khan-it u përqendrua në shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin me shumicë muslimane dhe thirrjes së tij për “intervenim” të komunitetit ndërkombëtar për të shpëtuar botën nga një luftë e mundshme bërthamore midis dy rivalëve të kamotshëm.

“A ka menduar bota se çfarë do të ndodhë pas heqjes së bllokadës? Do të ketë reagim (nga Kashmiri) dhe India do të na fajësojë ne për këtë”, ka thënë Khan duke shtuar “Kjo (loja e fajësimit) do të sjellë ballë për ballë dy shtetet bërthamore”, theksoi Khan, në foltoren e AP të OKB-së i veshur me veshje kombëtare.

“Nëse fillon një luftë bërthamore, ajo do të ketë pasoja për mbarë botën”, tha Khan duke nënvizuar se “ky nuk është kërcënim, por frikë”.

Khan kundërshtoi politikat “mizore” të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi ndaj Kashmirit dhe tha se “nese Pakistani mbetet pa zgjidhje, ne do të luftojmë deri në fund”.

“Në rast të fillimit të një lufte konvencionale midis dy vendeve bërthamore, çfarë do të bëjë vendi disa herë më i vogël se fqinji i tij? Do të luftojë deri në vdekje”, tha ai ndër të tjera.

“Ne shpresojmë për më mirë, por jemi të gatshëm për më të keqen”, tha Khan.

“Kur një vend me armë bërthamore lufton deri në fund, kjo do të ketë pasoja larg kufijve të saj. Kjo do të ketë pasoja për botën”, tha ai.

Duke kërkuar heqjen e bllokadës disa javëshe dhe lirimin e mijëra të arrestuarve, Khan i bëri thirrje OKB-së të zbatojë rezolutat dhe përgjegjësitë e saj në Kashmir duke e cilësuar këtë një “test për OKB-në” si mundësi për të kthyer kredibilitetin e saj duke i dhënë mundësinë e vetvendosjes Kashmirit.

“Tani është koha të veproni. Veprimi i parë duhet të jetë që India të heq rrethimin e saj 55 ditorë. Ajo duhet të lirojë të gjithë të burgosurit, përfshirë 13 mijë fëmijët që u ndaluan së fundmi”, shtoi ai.

Disa grupe të të drejtave, përfshirë Human Rights Watch (HRW) dhe Amnesty International (AI) kanë përsëritur thirrjet për heqjen e bllokadës dhe lirimin e të burgosurve politikë.

India tha se 93 për qind të ndalesave janë lehtësuar në rajonin e trazuar, pretendim ky të cilin Anadolu Agency nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

“Gjakderdhjet” në Kashmir

Duke shprehur frikën për “gjakderdhje” në rajonin e diskutueshëm pas heqjes së bllokadës, Khan i bëri thirrje OKB-së që të veprojë urgjentisht për të parandaluar një gjë të tillë.

“Kur të hiqet bllokada dhe miliona njerëz të përballen me 900 mijë forca indiane të sigurisë, aty do të ketë gjakderdhje”, tha Khan, duke potencuar se 8 milionë kashmiras “janë mbyllur si kafshë”.

“A mendoni se kashmirasit do të pranojnë në heshtje ‘staus quo’-në?” pasiqë të drejtat e tyre dhe statusi special u është revokuar, pyeti Khan kryeministrin indian Modi.

Ai hodhi poshtë pretendimet e qeverisë indiane se lëvizjet e reja do të sjellin prosperitet dhe zhvillim në Xhamu dhe Kashmir, duke shtuar se njerëzit në rajon do të përballen me shtypje më të madhe. “Ata (kashmirasit) do të dalin në rrugë dhe forcat e sigurisë do t’i qëllojnë ata. Ata (forcat e sigurisë) tashmë kanë përdorur masivisht armët kundër tyre (kashmirasve)…dhe kështu, kashmirasit në të ardhmen do të radikalizohen”.

“Do të ndodhë një Pulwama e re. Dhe ata (India) do të na fajësojë ne”, tha ai duke iu referuar sulmit ndaj autokolonës ushtarake të Indisë në qarkun Pulwam të Xhamu dhe Kashmir, ku u vranë 44 ushtarë indianë në shkurt të këtij viti.

Khan poashtu hodhi poshtë akuzat e New Delhit se Pakistani ka dërguar qindra terroristë në Kashmirin e administruar nga India. “Pse ne duhet të dërgojmë 500 terroristë kur aty ndodhen 900 mijë trupa indiane? Pse ne duhet t’i japim mundësinë qeverisë indiane të zhvillojë propagandën e saj të terrorizmit kundër Pakistanit”.

Ai paralajmëron për “axhendën ultra nacionaliste” të qeverisë indiane e cila kërcënon paqen në rajon duke përmendur vdekjen e Mahatma Gandhit në duart e të njëjtës “ideologji të urrejtjes”.

Kryeministri i Pakistanit, Khan tha se politikat e Indisë ndaj Kashmirit do të radikalizojnë muslimanët në mbarë botën.

“1.3 miliardë muslimanë në mbarë botën gjithashtu janë duke parë se si kashmirasit sulmohen për shkak të religjionit të tyre”, tha ai duke nënvizuar se përveç Kashmirit, miliona muslimanë në Indi dhe në mbarë botën “do të radikalizohen”.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhamu Kashmiri gëzonte status special nën adminstrimin e Indisë, sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.

India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.

Islamofobia

Khan gjithashtu preku çështjet e ndryshimeve klimatike dhe të pastrimit të parave duke kërkuar nga fuqitë botërore që të ushtrojnë rolin e tyre në parandilimin e këtyre problemeve.

Duke folur për trendin në rritje të islamofobisë globale, udhëheqësi pakistanez nënvizoi se ky fenomen u rrit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, e cila ka shkatuar ndasi në mesin e shoqërive.

“Asnjë fe nuk predikon terrorizmin”, tha Khan duke ngritur shqetësimet për ndërlidhjen e Islamit me terrorizmin apo ektremizmin.

“Baza e të gjitha religjioneve është dhembshuria dhe drejtësia që na bën të dallohemi nga mbretëria e kafshëve”, tha ai.

Khan theksoi se disa shtete perëndimore, Hixhabin e barazojnë me armët.

“Të gjitha këto ndodhin për shkak të islamofobisë. Ne duhet të adresojmë këto çështje. Më vjen keq ta them se udhëheqësit muslimanë nuk e kanë adresuar këtë çështje siç duhet”, theksoi ai.

“Shprehja ‘terrorizmi radikal islamik’ që përdoret nga disa udhëheqës (perëndimorë) ka shkaktuar islamofobinë dhe dhimbje për muslimanët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat