SHBA - Turqi, dakort për armëpushim në Siri, por Ankaraja refuzon ta quajë të tillë

Bota

SHBA - Turqi, dakort për armëpushim në Siri, por Ankaraja refuzon ta quajë të tillë

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 00:30
Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan

Presidenti Donald Trump tha të enjten se ishte kërcënimi i tij me sanksione ndaj Turqisë që e bëri vendin të binte dakord për një armëpushim pesëditor në luftimet me kurdët në Sirinë veriore.

Ai i bëri komentet para gazetarëve në Fort Worth të Teksasit.

Lajmin për armëpushimin e njoftoi nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan.

Sipas marrëveshjes së arritur, dy aleatët e NATO-s, Turqia do t'i ndalë operacionet për pesë ditë, ndërsa tërhiqet nga rajoni përgjatë kufirit.

Pas bisedimeve që zgjatën katër orë, Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja kishte marrë atë që donte, por refuzoi ta quante armëpushim.

"Ne do të bëjmë një pauzë të operacionit Pranvera e Paqes, në mënyrë që PKK/YPG të largohet nga zona e sigurt. Ky nuk është armëpushim, sepse armëpushimet bëhen vetëm mes dy palëve legjjtime. Kur elementët terroristë të largohen krejtësisht nga zona e sigurt, atëherë mund ta ndalim operacionin", tha ai në konferencë për shtyp.

Zoti Pence udhëtoi drej Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde. Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Zoti Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Zoti Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson "të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike". Përpara takimit në Ankara, zoti Trump shprehej i bindur se zoti Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat