Rusia dhe Kina inaugurojnë gazsjellësin e parë që i lidh dy vendet

Bota

Rusia dhe Kina inaugurojnë gazsjellësin e parë që i lidh dy vendet

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 11:55
Foto

Rusia dhe Kina e kanë shtuar bashkëpunimin në fushën e energjisë, duke e inauguruar gazsjellësin e parë që do ta lidh eksportuesen më të madhe të gazit natyror në botë, Rusinë, dhe ekonominë e dytë më të madhe, Kinën.

“Sot është një ngjarje e dalluar dhe vërtet historike, jo vetëm për tregun botëror të energjisë, por edhe për Rusinë dhe Kinën”, tha presidenti rus, Vladimir Putin, në ceremoninë e inaugurimit të gazsjellësit në skajin lindor të Rusisë.

Gazsjellësi i gjatë rreth tre mijë kilometra filloi të dërgojë gaz në Kinë nga rezervat e mëdha në skajin lindor të Rusisë. Ai u ndërtua për t’i plotësuar kërkesat në rritje të Kinës për këtë lëndë djegëse.

Ndërkohë presidenti kinez, Xi Jinping, tha: “Ky gazsjellës është shembull i bashkëpunimit me dobi të dyanshme për vendet tona”.

Ky projekt është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2014 mes kompanisë ruse “Gazprom” dhe Korporatës Shtetërore Kineze të Karburanteve, në vlerë të 400 miliardë dollarëve.

Me këtë marrëveshje, Rusia do ta furnizojë Kinën me 38 miliardë metra kub të gazit natyror në vit për 30 vjetët e ardhshëm, shkruan “Free Europe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat