Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbejnë shkencëtarët e burgosur

Bota

Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbejnë shkencëtarët e burgosur

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 14:26
Xiyue Wang dhe Massoud Soleimani

Një shkencëtar amerikan me prejardhje kineze, i dënuar për spiunazh në Iran, do të lirohet nga burgu si pjesë e marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, me të cilën qeveria amerikane  liroi një shkencëtar iranian që po mbahej në burg në Shtetet e Bashkuara.

Xiyue Wang ishte arrestuar në Iran në vitin 2016 nën akuzën për bashkëpunim me qeveri të huaja, ndërsa iraniani Massoud Soleimani, ekspert i qelizave, ishte arrestuar në aeroportin e Chicago-s vitin e kaluar. Ai është akuzuar se është përpjekur të eksportojë material biologjik në Iran.

Të dy personat e burgosur i kanë mohuar akuzat.

“Më vjen mirë që profesori Massoud Soleimani dhe z.Xiyue Wang do të mund të bashkohen me familjet e tyre së shpejti”, shkroi në Twitter ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif.

Për këtë shkëmbim ka shkruar edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Përmes një deklarate, ai tha: “Lirimi i amerikanëve të paraburgosur është me rëndësi jetike për administratën time dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për t’i sjellë në shtëpi të gjithë qytetarët tanë që pa të drejtë mbahen në burgje jashtë vendit”.

Lirimin e shkencëtarit amerikan e konfirmoi edhe bashkëshortja e tij, duke thënë: “Jemi falënderues për të gjithë ata që ndihmuan që kjo të ndodhë”.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Irani zyrtarisht nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por komunikojnë përmes Ambasadës Zvicerane në Tehran, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat