Turqia bën presion: Hakmerremi, nëse SHBA na vendos sanksione

Bota

Turqia bën presion: Hakmerremi, nëse SHBA na vendos sanksione

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 06:12
Mevlut Cavusoglu

Ankaraja kërcënoi se do të kundërpërgjigjet, nëse Uashingtoni vendos sanksione kundër Turqisë.

Paralajmërimi vjen ndërsa Senati i SHBA përgatitet hedh në votë disa masa kundër Turqisë, për shkak të blerjes prej saj të sistemeve ruse të mbrojtjes. Një komision i senatit të mërkurën mbështeti legjislacionin për të vendosur sanksione ndaj Turqisë pas ofensivës së saj në Siri dhe blerjes së sistemit S-400.

“Ligjvënësit amerikanë duhet të kuptojnë se nuk arrijnë dot asgjë me imponime,” tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu të mërkurën gjatë një interviste televizive. “Nëse Shtetet e Bashkuara mbajnë ndaj nesh qasje pozitive, edhe ne do të reagojmë pozitivisht. Por nëse ata sillen negativisht ndaj nesh, atëherë ne do të kundërpërgjigjemi”.

Senatorët amerikanë pritet të propozojnë një projektligj që vë në shënjestër Turqinë dhe zyrtarë apo institucione turke. Masat janë si përgjigje ndaj blerjes nga Turqia të sistemit raketor S-400 të Rusisë, blerje që zyrtarët thonë se shkel ligjet amerikane.

Sanksionet kundër Turqisë gëzojnë mbështetje dypartiake në Kongres. Republikanët dhe demokratët nuk janë të zemëruar vetëm me atë që shihet si kthesë e Ankarasë drejt Moskës, por edhe ndaj një ofensive të Turqisë kundër milicisë kurde YPG, në verilindje të Sirisë.

Turqia e ka shpallur YPG si terroriste, por milicia është një aleate kryesore në luftën e udhëhequr nga Uashingtoni kundër Shtetit Islamik.

Ligjvënësit amerikanë ka të ngjarë të zemërohen më tej nga një masë e gjykatës turke të mërkurën, e cila vendosi ta mbajë burg punonjësin e konsullatës amerikane, Metin Topuz, që akuzohet për spiunazh. Uashingtoni i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza.

Marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s kanë pësuar rënie vitet e fundit për një sërë mosmarrëveshjesh. Por trajektorja e rënies mund të përshpejtohet me paralajmërimin e ministrit Cavusoglu se bazat kryesore ushtarake amerikane në Turqi janë në rrezik nëse Ankarasë i vihen sanksione.

Baza e madhe ajrore Incirlik afër kufirit me Sirinë prej dekadash të tëra është jetike për interesat strategjike të SHBA në rajon. Ka njoftime se në bazë ka armë bërthamore amerikane.

Ndërkohë gjatë një bisede telefonike të mërkurën, Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Tayip Erdogan u zotuan të vazhdojnë bashkëpunimin në sferat ushtarake dhe të energjisë, sipas një njoftimi të Kremlinit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat