Greta Thunberg thotë se do ta refuzonte takimin me Donald Trump-in

Bota

Greta Thunberg thotë se do ta refuzonte takimin me Donald Trump-in

Më: 30 dhjetor 2019 Në ora: 12:41
Greta Thunberg dhe Donald Trump

Aktivistja e famshme suedeze për mbrojtjen e klimës tha se do ta refuzonte një takim të mundshëm me presidentin amerikan, Donald Trump, sepse, sipas saj, një gjë e tillë do të ishte humbje kohe.

Gjatë intervistës për një emision të BBC-së në radio, ajo e kritikoi haptazi presidentin amerikan, duke thënë: “Ai qartazi nuk është duke i dëgjuar shkencëtarët dhe ekspertët. Prandaj, pse do të më dëgjonte mua?”

Presidenti Trump është akuzuar për ngacmim të zonjushës Thunberg pasi ajo u zgjodh person i vitit nga revista “Time”, kur kishte thënë se adoleshentja suedeze ka problem me menaxhimin e zemërimit dhe se duhet të relaksohet.

E pyetur për këto sulme kundër saj, Greta tha: “Ato sulme janë thjesht qesharake. Ato nuk kanë ndonjë kuptim. Kuptohet që ata janë të tmerruar nga të rinjtë që po e sjellin ndryshimin. Ata nuk e duan këtë. Ata na shohin si një lloj kërcënimi.”

Në anën tjetër, babai i Gretës, Svante, tha se në fillim kishte menduar që qëndrimi i vajzës së tij në “vijën e frontit” kundër ndryshimeve klimatike ishte një ide e keqe. Sidoqoftë, ai tha se përfshirja e vajzës në aktivitete botërore e ndihmoi që ta mposhtë depresionin që e kishte në fillim.

Ai gjithashtu tha se Greta nuk hante dhe nuk fliste me askënd për tre muaj në vitin 2016 dhe refuzonte të shkonte në shkollë, shkruan “Daily Mail”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat