Sot varroset gjenerali i vrarë iranian, Qasem Soleimani

Bota

Sot varroset gjenerali i vrarë iranian, Qasem Soleimani

Më: 7 janar 2020 Në ora: 08:52
Foto

Mijëra njerëz të veshur kryesisht me rroba të zeza janë mbledhur të martën në Iran për t’ia dhënë lamtumirën e fundit gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani, i cili u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane të premten e kaluar. Ai do të varroset në qytetin e lindjes, në Kerman.

Para se të dërgohej në vendlindje, trupi i pajetë i ushtarakut të lartë u nderua paraprakisht nga një numër i madh i njerëzve në Irak dhe më pas në kryeqytetin e Iranit, Tehran.

Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër ndaj vrasjes së komandantit të forcave Kuds dhe të dielën u tërhoq plotësisht nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare, me të cilën republikës islamike i kufizohej pasurimi i uraniumit, transmeton Gazeta Express.

Kush ishte Qasem Soleimani?

Gjenerali 62 vjeç e kishte për detyrë që ta mbronte dhe ta forconte ndikimin e Iranit në Lindjen e Mesme përmes operacioneve sekrete dhe klandestine. Ai vlerësohej si person përgjegjës për dhjetëra sulme ndaj forcave amerikane.

Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine.

Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban. Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.

Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani, shkruan BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat