Zjarret në Australi, normalja e re në vitet që vijnë

Bota

Zjarret në Australi, normalja e re në vitet që vijnë

Më: 14 janar 2020 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Planetin tonë e presin fenomene ekstreme të motit me rritjen e temperaturave globale. Zjarret si ato që po djegin Australinë, sipas shkencëtarëve, do të kthehen në normalitet në vitet e ardhshme.

Zjarret në Australi që vijojnë prej muajsh janë një paralajmërim i asaj çfarë e pret planetin nëse temperaturat e Tokës do ndjekin tendencën aktuale.

Pas analizimit të rreth 60 studimeve shkencore të publikuara nga viti 2013, një ekip shkencëtarësh britanikë thonë se ka lidhje të qarta mes zjarreve dhe ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.

"Ne e dimë se Australia sapo regjistroi vitin më të nxehtë në histori, me temperatura rreth 1,4 gradë Celsius më të larta sesa në periudhën e industrializimit apo të mesatares globale. Situata nuk do të ishte kjo pa ndikimin e njeriut te klima," deklaron Riçard Bets, profesor dhe drejtues i Qendrës Hedlei për Studimet Klimatike.

Studimet tregojnë se ndryshimet klimatike mund të sjellin rritje të shpeshtisë dhe agresivitetit të periudhave me zjarre në Australi, në Amerikën Perëndimore, në Kanada, në Europën Jugore, në Skandinavi, Amazonë dhe Siberi.

Faktorët që do të ndikojnë janë temperaturat, lagështia e ulët, reshjet e pakëta dhe erërat e forta.

"Kushtet e motit dhe të periudhave të nxehta do të shpeshtohen me rritjen e temperaturave globale. Situata sa vjen e përkeqësohet. Ndaj sa më shpejt të ndalim lëshimin e gazrave serrë në atmosferë, aq më shpejt do e ngadalësojmë ngrohjen globale dhe impaktin e ndryshimeve klimatike," shton profesori Bets.

Organizata Meteorologjike Botërore ka njoftuar se temperaturat globale këtë shekull mund të kapin vlerën 3 deri 5 gradë Celsius duke kaluar me tri herë pragun e vendosur sipas Marrëveshjes së Parisit për Klimën nëse mungojnë politikat e duhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat