Gazeta daneze nxit reagime: Në vend të yjeve, në flamurin kinez vendos viruse

Bota

Gazeta daneze nxit reagime: Në vend të yjeve, në flamurin kinez vendos viruse

Më: 28 janar 2020 Në ora: 12:48
Foto ilustrim

Ambasada e Kinës në Danimarkë ka kërkuar nga gazeta daneze “Jyllands-Posten” që të kërkojë falje për publikimin e një flamuri kinez, ku në vend të katër yjeve të vogla e një ylli të madh janë paraqitur katër viruse të vogla e një virus i madh.

“Shprehim indinjatën tonë të thellë dhe kërkojmë që gazeta Jyllands-Posten bashkë me autorin e vizatimit, Niels Bo Bojesen, ta qortojnë veten dhe t’i kërkojnë falje publikisht popullit kinez”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Kinës në Kopenhagë.

Këtë kërkesë e refuzoi kryeredaktori i gazetës, Jacob Nybroe. Ai tha: “Nuk mund të kërkojmë falje për diçka që mendojmë se nuk është gabim. Ne nuk kemi qëllim të ngacmojmë dhe nuk mendojmë se ky vizatim është duke e bërë këtë.”

E pyetur në lidhje me këtë reagim, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, nuk iu referua në mënyrë të drejtpërdrejtë ilustrimit kundërthënës në gazetën daneze, shkruan “Bloomberg”, transmeton Gazeta Express.

“Nuk kam asgjë tjetër për të thënë për këtë çështje, përpos që ne e kemi një traditë shumë të fuqishme, jo vetëm për lirinë e shprehjes, por edhe për lirinë e satirës dhe ne do të vazhdojmë ta kemi këtë në të ardhmen”, tha shefja e qeverisë daneze.

Gazeta më e madhe daneze edhe në të kaluarën ka qenë në qendër të kritikave ndërkombëtare për shkak të karikaturave të saj. Në vitin 2005, kjo gazetë i kishte publikuar 12 vizatime kundërthënëse, ku ishte paraqitur figura e profetit Muhamed. Kjo ngjarje kishte shkaktuar krizë diplomatike mes Danimarkës dhe vendeve me shumicë myslimane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat