Kryeministri izraelit heq dorë nga imuniteti, njofton nga ShBA tërheqjen e kërkesës

Bota

Kryeministri izraelit heq dorë nga imuniteti, njofton nga ShBA tërheqjen e kërkesës

Më: 28 janar 2020 Në ora: 13:10
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi sot se do të tërheqë kërkesën e tij në parlament për t'i dhënë atij imunitet, një orë para se të fillonte seanca.

"Unë e njoftova Presidentin e Parlamentit se po tërhiqja kërkesën time për imunitet. Më vonë do të hedh poshtë akuzat qesharake (...) të bëra kundër meje, "tha Netanyahu, i cili akuzohet për korrupsion në tre raste.

Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në Izrael, tha në një deklaratë në Facebook se procesi në parlament do të ishte "një cirk" dhe shtoi se ai nuk dëshironte të "merrte pjesë në këtë lojë të ndyrë".

"Për momentin, unë nuk do t'i lejoj kundërshtarët e mi politikë të përdorin këtë (kërkesë) për të dëmtuar procesin historik që po zhvilloj", shtoi Netanyahu, i cili ndodhet në Uashington, ku Presidenti i SHBA Donald Trump pritet të prezantojë "planin amerikan të paqes"  për Lindjen e Mesme.

Netanyahu e ka quajtur atë "historik", ndërsa palestinezët e kanë refuzuar.

Në nëntor 2019, drejtësia izraelite ngriti akuza kundër kryeministrit izraelit për korrupsion, mashtrim dhe abuzim të besimit në tre raste të ndara. Në fillim të janarit, ai i kishte kërkuar parlamentit (Knesset) t'i jepte imunitet deri në zgjedhjet parlamentare të 2 Marsit, duke shpresuar se një fitore do ta mbronte atë nga drejtësia.

Deputetët izraelitë kishin planifikuar të takohen sot për të vendosur një komitet për të shqyrtuar kërkesën e Netanyahut.

Ky i fundit i mohon të gjitha akuzat dhe denoncon se është viktimë e një "gjuetie shtrigash".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat