Turqia thotë se ka "neutralizuar" 101 ushtarë sirianë

Bota

Turqia thotë se ka "neutralizuar" 101 ushtarë sirianë

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 19:02
Idlib, Siri

Turqia tha se ka "neutralizuar" 101 ushtarë të Qeverisë siriane, pas vrasjes së pesë ushtarëve turq nga forcat qeveritare në provincën Idlib të Sirisë.

Tre tanke dhe dy topa u shkatërruan, tha Ministria turke e Mbrojtjes, duke shtuar se një helikopter i Qeverisë siriane u godit gjithashtu.

Përleshjet ndodhën pasi një delegacion rus arriti në Ankara për të diskutuar rritjen e tensioneve në Idlib - bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët sirianë.

Zyrtarët turq u thanë atyre rusë se sulmet kundër pikave turke të vëzhgimit në veriperëndim të Sirisë duhet të ndalojnë menjëherë, njoftoi Presidenca turke.

Sulmet e tilla nuk do të kalojnë pa përgjigje, shtoi ajo.

Ofensiva e forcave siriane në Idlib dhe në disa pjesë të Alepos fqinje, e mbështetur nga forcat ruse, ka detyruar afro 700,000 njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre qysh në muajin dhjetor, njoftuan të hënën Kombet e Bashkuara.

Rusia dhe Turqia, e cila mbështet grupet rebele në Siri, janë pajtuar më herët që të punojnë së bashku drejt shtensionimit të situatës në Idlib dhe krijimit të një zone të demilitarizuar, por luftimet kanë vazhduar.

Siria është në luftë civile qysh në vitin 2011.

Mbi gjysmë milioni njerëz janë vrarë, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat