Vriten 9 përdorues droge të pastrehë në Afganistan

Bota

Vriten 9 përdorues droge të pastrehë në Afganistan

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Zyrtarët afganë njoftuan të dielën se disa persona të armatosur i kanë qëlluar për vdekje nëntë përdorues droge të pastrehë në kryeqytetin e këtij vendi, Kabul.

Motivi i këtij sulmi ende nuk dihet, por policia tha se është duke e hetuar rastin. Personat e vrarë ishin duke fjetur në momentin e sulmit. Ekipi i forenzikës më vonë vërtetoi se ata ishin përdorues të drogës.

Sipas Ministrisë së Shëndetit Publik, në Afganistan janë rreth 2.5 milionë përdorues të drogës. Shumica prej tyre besohet se janë të varur nga heroina që prodhohet nga bimët e kultivuara pikërisht në këtë shtet.

Rreth 20 mijë përdorues të drogës janë të pastrehë, ndërsa gjysma e tyre jetojnë në kryeqytetin e vendit të rrënuar nga lufta.

Ministria përkatëse mund t’i trajtojë vetëm 40 mijë persona të varur nga droga në vit, por një numër shumë më i madh kërkon ndihmë, shkruan “Reuters”.

Autoritetet njoftuan se së paku 50 përdorues droge të pastrehë kanë vdekur në dy muajt e fundit për shkak të acarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat