Miratohet marrëveshja për zvogëlim të prodhimit të naftës - Bota Sot
Miratohet marrëveshja për zvogëlim të prodhimit të naftës

Bota

Miratohet marrëveshja për zvogëlim të prodhimit të naftës

Më: 13 prill 2020 Në ora: 13:16
Foto ilustrim

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Rusia dhe shtetet tjera prodhuese kanë finalizuar një marrëveshje për ulje të pashembullt të prodhimit të naftës, me shpresën e rritjes së çmimeve globale, që kanë rënë për shkak të pandemisë me koronavirus dhe luftës me çmime.

OPEC Plus, një grup prej 23 vendeve anëtare prodhuese, që përfshin edhe Rusinë, kanë thënë se janë pajtuar për të zvogëluar sasinë e naftës së prodhuar për 9.7 milionë fuçi në ditë gjatë muajve maj dhe qershor.

Kjo marrëveshje po ashtu u kërkon anëtarëve të këtij grupi që të ulin prodhimin e naftës nga niveli aktual, në 6 milionë fuçi në ditë deri në prill të vitit 2022.

“Marrëveshja e Madhe për naftë me OPEC-Plusin është arritur”, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

“Sapo bisedova me ata. Marrëveshje e mrekullueshme për të gjithë”.

Duke deklaruar se marrëveshja “do të ruajë qindra mijëra vende të punës të lidhura me energjinë në Shtetet e Bashkuara” Trump ka përgëzuar dhe falënderuar presidentin rus, Vladimir Putin dhe Mbretin Salman të Arabisë Saudite.

Kremlini ka njofuar të hënën se Putin ka biseduar përmes telefonit me Trumpin dhe Mbretin Salman, dhe që të tre liderët kanë treguar përkrahje për marrëveshjen.

Kremlini ka thënë se Putin ka folur edhe ndaras vetëm me Trumpin për të diskutuar tregun e naftës dhe çështje tjera.

Sipas një draft-deklarate të Grupit OPEC-Plus, të parë nga agjencia e lajmeve, Reuters, ky grup pret që prodhimi global i naftës të ulet për 20 milionë fuçi brenda ditës, apo 20 për qind e furnizimeve globale, duke nisur nga 1 maji.

Duket se si rezultat i marrëveshjes, çmimet e naftës janë rritur për 3 për qind në tregjet aziatike ditën e hënë.

Mirëpo analistë të tregjeve presin që marrëveshja nuk do të zbatohet gjatë, duke thënë se ky pakt nuk u ka dhënë investitorëve shpresë afatgjatë, në kohën e pandemisë me koronavirus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat