Pezullimi i fondeve për OBSH-në, reagon organizata

Bota

Pezullimi i fondeve për OBSH-në, reagon organizata

Më: 16 prill 2020 Në ora: 06:07
Tedros Adhanom Ghebreyesus

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit tha të mërkurën se i vjen keq për vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të ndalur financimin e kësaj agjencie dhe bëri thirrje për unitet global në luftën kundër pandemisë.

Vendimi i Presidentit Trump që pezullon financimin e OBSH-së për shkak të trajtimit nga kjo organizatë të krizës shëndetësore globale u kritikua të mërkurën nga disa udhëheqës botërorë, ndërkohë që infeksionet në botë e kaluan shifrën 2 milion.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej një kohe të gjatë mik bujar i OBSH-së dhe shpresojmë se do të vazhdojë të jetë kështu," tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për shtyp. "Na vjen keq për vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të urdhëruar ndalimin e financimit për OBSH-në", tha ai.

Ai tha se performanca e saj në krizë do të vlerësohet më vonë, si pas çdo ngjarjeje të tillë.

"Në kohën e duhur performanca e OBSH-së në trajtimin e kësaj pandemie

do të analizohet nga vendet anëtare të OBSH-së dhe organe të pavarura që janë krijuar për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri," tha Dr Tedros.

OBSH-ja gjithashtu ndihmon më të varfërit e botës që të luftojnë sëmundje të tilla si poliomeliti, fruthi, malarja, Ebola, HIV, tuberkulozi, kequshqyerja, kanceri dhe diabeti, tha ai.

Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i OBSH-së, me më shumë se 400 milion dollarë për vitin 2019, afërsisht 15% e buxhetit të saj.

Dr. Tedros tha: "OBSH-ja po shqyrton ndikimin që mund të ketë në punën tonë

një tërheqje e fondeve amerikane. Ne do të punojmë me partnerët për të

mbuluar çdo boshllëk financiar me të cilin përballemi dhe për të siguruar që puna jonë do të vazhdojë e pandërprerë." Por tani, tha ai, është koha që bota të bashkohet kundër shpërthimit të koronavirusit, të cilin ai e përshkroi si një "armik të rrezikshëm".

Dr Mike Ryan, ekspert i lartë i emergjencave në OBSH, tha: "Ne jemi të përqendruar si rreze lazer për të bërë një punë shumë të rëndësishme – frenimin e virusit dhe shpëtimin e jetëve.”

Presidenti Trump tha të martën mbrëma se OBSH-ja ndihmoi dezinformimin kinez për virusin, dhe kjo çoi ndoshta në një zgjerim të përmasave të shpërthimit.

Ai tha se OBSH-ja dështoi të hetonte njoftime të besueshme nga burime në Wuhan të Kinës që ishin në kundërshtim me ato që thoshte Pekini mbi përhapjen e koronavirusit, duke “përsëritur dhe miratuar publikisht" idenë se nuk kishte transmetim të sëmundjes nga njeriu tek njeriu.

Nga ana e tij, zoti Ryan tha se OBSH-ja paralajmëroi më 5 janar të 194 vendet anëtare në lidhje me shpërthimin, si raste të pneumonisë "me origjinë të panjohur” dhe se sekuenca gjenetike e virusit u bë e ditur një javë më vonë.

"Kur OBSH-ja lëshoi udhëzimet e para për vendet e ndryshme, tashmë ishte jashtëzakonisht e qartë se duhet të merreshin masa mbrojtjtëse për frymëmarrjen gjatë trajtimit të pacientëve me këtë sëmundje, sepseekzistonte rreziku që sëmundja të përhapej nga njeriu te njeriu në ato mjedise," tha ai.

Sa u përket kufizimeve të udhëtimit, ai tha se ishte e drejta sovrane e secilit vend për t'i imponuar ato dhe roli i vetëm i OBSH-së ishte të shtronte pyetjen nëse ato ishin të justifikuara nga pikëpamja e shëndetit publik,” tha eksperti i organizatës, Mike Ryan.

REAGIMI I KINËS

Kina tha të mërkurën se vendimi i Presidentit të SHBA Donald Trump për të pezulluar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit do të prekte të gjitha vendet ndërsa bota përballet me një fazë kritike në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Komentet nga ministria e jashtme pasuan njoftimin e presidentit Trump të martën ku ai tha se OBSH nuk hetoi siç duhet rastet e hershme të virusit në Kinë.

Gjermania u bashkua në mbrojtje të agjencisë, me Ministrin e Jashtëm Heiko Maas që tha të mërkurën se përcaktimi i fajit "nuk ndihmon".

"Ne kemi punuar nga afër së bashku kundër #COVID19,” shkruan Maas në Twitter. “Një nga investimet më të mira është forcimi i OKB-së, veçanërisht i OBSH-së së financuar jo sa duhet, për shembull për zhvillimin dhe shpërndarjen e testeve dhe vaksinave."

Ka rreth 2 milion raste të konfirmuara të koronavirusit në të gjithë botën, por me vështirësitë në qasjen ndaj testeve në shumë zona, shifrat e vërteta janë me siguri më të larta. Statistikat e Universitetit Johns Hopkins të mërkurën japin numrin e vdekjeve në të gjithë botën në më shumë se 126,000.

Franca tha që numri i fataliteteve atje kishte kaluar 15,000 njerëz, duke e bërë atë vendin e katërt që e kalon këtë shifër, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Italinë dhe Spanjën.

Italia dhe Spanja janë ndër disa vende evropiane që kanë filluar të lehtësojnë izolimet e rrepta, të destinuara për të ndaluar përhapjen e virusit, ndërsa Franca sapo zgjati masat e saj.

Diskutimet se kur dhe si do të lehtësohen kufizimet po zhvillohen në qeveritë në mbarë botën. Në shtetin perëndimor të Kalifornisë, Guvernatori Gavin Newsom tha se do të marrë në konsideratë heqjen e urdhrave të izolimit kur numri i shtrimeve në spitale të bjerë për të paktën dy javë, testimi të jetë më i disponueshëm, të ketë më shumë pajisje mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor, dhe zyrtarët të kenë aftësi më të mirë për të gjurmuar dhe izoluar ata që janë të infektuar.

India njoftoi të mërkurën se planifikon të lejojë aktivitetiet e prodhimit dhe të bujqësisë të rifillojnë në zonat rurale më 20 prill, ndërsa izolimi mbarëkombëtar mbetet në fuqi deri në fillim të muajit të ardhshëm.

Masat e ndryshme reflektojnë rrugën e shpërthimit, me pikat e mëparshme të nxehta që po shohin shenja premtuese se më e keqja mund të jetë drejt fundit, ndërsa pjesët e tjera të botës sapo kanë filluar të provojnë numra më të lartë të rasteve.

Kjo është reflektuar me një numër urdhrash të reja izolimi këtë javë në Afrikë. Malaui është ndër më të fundit, me Presidentin Peter Mutharika që njoftoi të martën një urdhër izolimi 21-ditor që fillon të shtunën.

"Do të doja t'ju nxis që të zbatoni plotësisht masat sepse ato janë për të mirën e vendit tonë," tha Mutharika.

Në frontin ekonomik, urdhërat e qëndrimit në shtëpi kanë çuar në një rënie të gjerë të konsumit të naftës.

Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë lëshoi një parashikim të mërkurën për një rënie të kërkesës për muajin Prill prej 29 milion fuçish në ditë, duke arritur nivelet që bota nuk i ka parë në 25 vjet.

Në Zelandën e Re, Kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi se ajo dhe zyrtarë të tjerë të lartë po i ulin vullnetarisht pagat e tyre me 20% në një veprim simbolik, duke pranuar vështirësitë ekonomike të vendit në përgjigje të shpërthimit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat