Covid-19/ Eksperti amerikan: Viktimat janë më shumë, disa kanë vdekur në shtëpi

Bota

Covid-19/ Eksperti amerikan: Viktimat janë më shumë, disa kanë vdekur në shtëpi

Më: 13 maj 2020 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara deklaroi se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është “pothuajse me siguri më i lartë” sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt.

Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në bilancin total të vdekjeve në nivel kombëtar.

Ai nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër. Fauci paralajmëroi se është “tërësisht e mundur” që pandemia “të mund të përkeqësohet” në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por shtoi se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të “mund të përballej me të” më mirë se deri më tani.

Presidenti Donald Trump i ka nxitur bizneset dhe guvernatorët e shteteve që të rihapin ekonominë më të madhe në botë dhe të gjithë guvernatorët, me disa përjashtime, kanë lëshuar ditët e fundit urdhra për rihapjen e disa dyqaneve, restoranteve dhe zyrave me kusht që ato të ndërmarrin masa për të plotësuar disa kushte paraprake. Por Fauci tha se “ekziston një rrezik real se mund të ballafaqohemi me një shpërthim normalisht të parandalueshëm” nëse udhëzimet e qeverisë, injorohen para se të ketë një rikthim në jetën normale në Shtetet e Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat