Trump injoron Faucin, bën thirrje për rihapjen e shkollave

Bota

Trump injoron Faucin, bën thirrje për rihapjen e shkollave

Më: 14 maj 2020 Në ora: 21:33
Donald Trump, Dr. Anthony Faucit

Shkollat duhet të rihapen shpejt, tha Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën.

“Unë mendoj se shkollat duhet të hapen”, tha presidenti ndërsa priti guvernatorët e Kolorados dhe Dakotës së Veriut në Shtëpinë e Bardhë.

“Ka patur shumë pak ndikim tek të rinjtë,” tha Presidenti për Covid-19. “Por ky është vendim i guvernatorëve.”

Komentet e Presidentit Trump erdhën një ditë pasi Kalifornia vendosi kundër rihapjes së universiteteve shtetërore madje as për fillimin e vitit të ri shkollor në vjeshtë.

Shkollat e të gjitha niveleve janë të mbyllura në pothuajse çdo shtet, përfshirë kryeqytetin e vendit, Uashington. Shumë departamente të arsimit kanë njoftuar tashmë se nuk do të rihapin shkollat për pjesën e mbetur të vitit shkollor, i cili për shumicën e nxënësve dhe studentëve në Shtetet e Bashkuara përfundon në qershor.

“Ne po e hapim vendin tonë. Njerëzit duan që të rihapet vendi”, tha Presidenti Trump.

Presidenti kundërshtoi komentet e bëra të martën gjatë një seance dëgjimore në Senat nga një prej anëtarëve më të spikatur të grupit të punës të Shtëpisë e Bardhë për koronavirusin.

“Ai dëshiron të kënaqë të gjitha palët,” tha Presidenti në lidhje me komentet e Dr. Anthony Faucit, drejtorit të Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive.

Dr. Fauci kishte paralajmëruar senatorët se shtetet dhe qytetet do të përballen me pasoja të rënda nëse rihapin aktivitetet publike shumë shpejt në mes të pandemisë virale.

“Unë mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm, nuk duhet të nxitojmë me konkluzionin se fëmijët janë plotësisht imun ndaj efekteve të dëmshme” të koronavirusit, tha Dr. Fauci të martën.

“Jam i befasuar nga përgjigjja e tij”, u tha Presidenti gazetarëve të mërkuren. “Për mua nuk është një përgjigje e pranueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkollat.”

Profesorët dhe mësuesit e tjerë mbi një moshë të caktuar, megjithatë, ndoshta duhet të “tregohen të kujdesshëm” edhe për disa javë të tjera, sipas Presidentit Trump.

Presidenti tha se ai ka biseduar në telefon me Nënpresidentin Mike Pence ndërsa ata po mbajnë distancën mes tyre si masë paraprake.

“Më mungon”, u tha presidenti gazetarëve. “Ai ishte në dhomë me dikë që rezultoi pozitiv (me koronavirus).”

Sekretarja e Nënpresidentit Pence për marrëdhëniet me shtypin, Katie Miller, të premten e kaluar u konfirmua se ishte infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump i kërkoi guvernatorit të Kolorados, Jared Polis, të fliste për përpjekjet për rihapjen e shtetit të tij.

“Ne jemi duke e bërë atë në një mënyrë të sigurt. Të gjitha dyqanet janë rihapur”, tha guvernatori Polis, duke hequr maskën e tij në kohën kur po fliste.

Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum, tha se shteti i tij ishte i dyti në vend për nga numri i testimeve për koronavirus në raport me popullsinë, pas Nju Jorkut.

“Ne kemi trajtuar çështjen e virusit dhe e kemi bërë atë në mënyrë vërtet të përqendruar”, duke mbajtur të hapura 93 për qind të bizneseve që operojnë në shtet, tha guvernatori Burgum.

Vetëm tre shtete të tjera kanë dendësi më të vogël të popullsisë se Dakota e Veriut.

Sekretari i Brendshëm David Bernhardt tha se departamenti i tij do të mbështesë përpjekjet e guvernatorëve për rihapjen e parqeve kombëtare.

“Shpresoj se të gjithë po dëgjojnë. Parqet po rihapen, ato po rihapen shpejt”, tha Presidenti Trump.

Dy nga parqet më ikonike dhe më të njohura të vendit, Yellowstone, që shtrihet në tre shtete perëndimore dhe Grand Teton në Uajoming, do të fillojnë të rihapen për turistët javën tjetër.

Zyrtarët e shëndetit publik tërheqin vërejtjen se ritmi i infeksioneve me koronavirus vazhdon të rritet në pjesën më të madhe të vendit, ndërkohë që po bie në zonën metropolitane të qytetit të Nju Jorkut, të goditur rëndë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins, deri të enjten më shumë se 84,000 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Rreth 1.4 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë infektuar me koronavirus.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat