I goditur nga lufta dhe virusi, Jemeni bën thirrje për ndihmë urgjente

Bota

I goditur nga lufta dhe virusi, Jemeni bën thirrje për ndihmë urgjente

Më: 18 maj 2020 Në ora: 12:04
Jemen

Qeveria e Jemenit, e përkrahur nga Arabia Saudite, bëri thirrje për ndihmë urgjente për sektorin e shëndetësisë për t’u përballur me luftën kundër koronavirusit në kohën kur vendi po përballet edhe me luftë civile.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se virusi është duke u përhapur pa u vërejtur në mesin e popullsisë së Jemenit, vend i ndarë në zonën e kontrolluar nga qeveria në jug dhe në lindje dhe në territoret e kontrolluara nga rebelët Houthi në perëndim.

Qeveria i akuzoi rebelët se janë duke e fshehur një përhapje të madhe të koronavirusit në zonat që i kanë nën kontroll, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me një situatë katastrofale të sigurisë së ushqimit për shkak të pandemisë, shkruan “Reuters”.

Konflikti mes koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Houthi tashmë e ka shkaktuar atë që Kombet e Bashkuara e cilësojnë si kriza më e madhe humanitare në botë. Rreth 80 për qind e popullsisë së këtij vendi është e varur nga ndihmat dhe miliona njerëz po përballen me uri.

Deri më tani, në Jemen nga qeveria zyrtarisht janë regjistruar vetëm 128 raste të infektimeve me Covid-19 dhe 20 viktima. Rebelët i kanë raportuar katër raste të infektimeve dhe një viktimë në territoret që i kontrollojnë ata. Megjithatë, dyshohet se numri i vërtetë i të vdekurve dhe të të infektuarve është shumë më i lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat