Një aeroplan transportues ushtarak i SHBA-së pritet të dorëzojë pakon e parë të ndihmave mjekësore për në Rusi të enjten, përfshirë 50 respiratorë, për të ndihmuar Moskën që të përballojë numrin në rritje të rasteve me koronavirusin e ri dhe vdekjeve si pasojë e virusit, shkruan agjencia Reuters.
Rusia ka numrin e dytë më të madh të infektuarve me COVID-19 në botë, 317.554, pasi janë raportuar të enjten 8849 të infektuar të rinj. Ndërkohë numri i të vdekurve është rritur në mbi 3000.
Vetëm SHBA-ja ka më tepër të infektuar me virusin. Por, shifra prej 3099 të vdekurve nga virusi është dukshëm më e ulët se në shtetet tjera evropiane, një gjë ka nxitur debat për metodat që Rusia i përdorë për të llogaritur rastet me fatalitet nga COVID-19.
Rusia ka cituar programin e testimeve në masë, që thotë se janë testuar mbi 7.8 milionë njerëz, për numrin e larëtë të rasteve me virus dhe ai thotë se shumica e rusëve me virus janë pa simptoma.
Zyrtarët e qeverisë kanë thënë se ka shenja që shpërthimi ka filluar të stabilizohet dhe se numri i rsteve të reja me virus ka filluar të ulet në ditët e fundit.
SHBA-ja ka thënë se do të dërgojë 200 respiratorë të prodhuar në Amerikë për në Rusi, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ofruar këtë ndihmë si reagim ndaj kërkesës nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Moska vet kishte dërguar pajisje mjekësore në SHBA muajin e kaluar.
Ndonëse marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Moskës mbesin jo të mira, presidentët e dy shteteve kanë folur me telefon disa herë në muajt e fundit, ku është diskutuar për pandeminë, naftën dhe kontrollin e armëve.
Qeveria e Rusisë ka porositur prodhimin e mijëra respiratorëve rusë, por ka marrë një goditje kur është mësuar se modeli i respiratorit që ka kërkuar është raportuar se kanë shkaktuar zjarre fatale në dy spitale ruse këtë muaj.
Ai model ishte dërguar nga Rusia dhe në SHBA si ndihmë mjekësore.