Irani liron veteranin e marinës amerikane - Bota Sot
Irani liron veteranin e marinës amerikane

Bota

Irani liron veteranin e marinës amerikane

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 07:25
Michael White

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se veterani i marinës amerikane, Michael White, i cili u arrestua në Iran në vitin 2018, është liruar dhe do t’i bashkohet familjes “shumë shpejt”. Trump tha në rrjetin social Twitter se White e ka lënë hapësirën ajrore të Iranit dhe gjendet “në një aeroplan zviceran”.

“Unë kurrë nuk do të ndalem së punuari për të siguruar lirimin e të gjithë amerikanëve të mbajtur peng jashtë shtetit! Faleminderit Zvicrës për ndihmën tuaj të madhe, ”shkroi Trump. Nëna e White, Joanne White, tha në një deklaratë më herët se “makthi mbaroi dhe djali im është i sigurt dhe në rrugën e tij për në shtëpi”. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, fluturoi në Cyrih me një aeroplan të qeverisë zvicerane për të takuar Michael White, raporton agjencia e lajmeve AP.

Hook do ta shoqërojë atë në Shtetet e Bashkuara. Michael White u arrestua nga ana e autoriteteve iraniane në korrik të vitit 2018 ndërsa ai ishte duke vizituar një grua që e kishte takuar në internet dhe me të cilën kishte rënë në dashuri. Ai u dënua me 13 vjet burg për kinse fyerje për udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei dhe postimin informacioneve private në internet.

Gjatë pandemisë së koronavirusit në muajin mars, veterani i marinës amerikane u lirua përkohësisht nga burgu, për shkaqe mjekësore. Lirimi i tij, nuk është i ndërlidhur me dëbimin në Iran, këtë javë, të shkencëtarit iranian, Sirios Asgari, thanë zyrtarët e SHBA-së. Aktualisht Irani mban në burg edhe disa qytetarë të tjerë amerikanë.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë bërë gjithnjë e më armiqësore që nga viti 2018, kur presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore. Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe se ajo i mundëson Iranit të posedojë armë bërthamore. Trump është zotuar se nuk do të lejojë që Irani të ketë armatim bërthamor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat