“Klinikisht nuk ekziston më”/ A po e humbet koronavirusi fuqinë?

Bota

“Klinikisht nuk ekziston më”/ A po e humbet koronavirusi fuqinë?

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 09:51
Ilustrim

“Koronavirusi duket se po dobësohet gjithnjë e më shumë”, shprehen mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pittsburgh-ut.

Dr Donald Yealy, kryetar i mjekësisë emergjente në UPMC, tha në një konferencë për shtyp të enjten se rastet duket se janë më pak të rënda krahasuar me ato kur pandemia u shfaq për herë të parë në SHBA në fillim të këtij viti.

“Virusi mund të ndryshojë”, deklaroi Yealy. “Disa prova sugjerojnë se fuqia e tij është zvogëluar”.

Ai vuri në dukje se UPMC ka trajtuar me sukses më shumë se 500 pacientë me koronavirus që nga muaji mars dhe në javët e fundit më pak pacientë po kërkojnë ventilatorë për t’i ndihmuar ata të marrin frymë.

Gjithashtu, sipas tij, më pak se 4% e të gjitha testeve dhe vetëm 0.2 % e testeve te pacientët asimptomatikë po dalin pozitivë, duke treguar se virusi është më pak i përhapur në komunitetet që shërben UPMC.

Zbulimet e mjekëve që virusi mund të ketë zvogëluar fuqinë erdhën disa ditë pasi studiuesit në Itali njoftuan se pacientët atje shfaqnin sasi shumë më të vogla të virusit në sistemin e tyre, në krahasim me mostrat e marra gjatë pikut të krizës në mars dhe prill.

Siç shkruan Daily Mail, profesori Alberto Zangrillo, drejtues i kujdesit intensiv në Spitalin San Raffaele të Italisë në Lombardi, shkoi aq larg sa tha se virusi “klinikisht nuk ekziston më”, gjatë një interviste të dielën në televizionin shtetëror.

Por ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe një sërë shkencëtarësh të tjerë hodhën poshtë shpejt pretendimet e Zangrillo-s të hënën, duke thënë se nuk ka prova për të mbështetur pohimin se koronavirusi ka humbur fuqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat