Nju Jorku nis rihapjen e ekonomisë, Britania karantinën - Bota Sot
Nju Jorku nis rihapjen e ekonomisë, Britania karantinën

Bota

Nju Jorku nis rihapjen e ekonomisë, Britania karantinën

Më: 8 qershor 2020 Në ora: 11:14
Qyteti i Nju Jorkut, mars 2020.

Qyteti i Nju Jorkut, dikur epiqendër e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, nga sot do të lehtësojë disa masa të izolimit.

Dy muaj më herët atje, qindra njerëz në ditë kanë humbur jetën nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Numri i rasteve të reja në ditë ka rënë tani në rreth 500 dhe zyrtarët thonë se kjo shifër, e shoqëruar me rënien e vazhdueshme të numrit të viktimave, bën që disa biznese, përfshirë prodhimin, ndërtimin dhe shitjet me shumicë dhe pakicë, të rihapen.

Rreth 400,000 njerëz pritet të kthehen në vendet e punës në fazën e parë të rihapjes së qytetit, i cili ka humbur mbi 22,000 njerëz nga COVID-19.

Por, në anën tjetër të botës, në Mbretërinë e Bashkuar, nga sot hyjnë në fuqi masa të reja izolimi kundër koronavirusit, të cilat kanë të bëjnë me kufizimin e udhëtimeve.

Masat synojnë të parandalojë valën e dytë të infektuarve nga jashtë. Por, British Airways dhe linja të tjera ajrore kanë filluar procedurat ligjore kundër Qeverisë britanike, për shkak të, siç kanë thënë, hapave "joproporcionalë dhe të padrejtë".

Image
Një aeroplan i British Airways i parkuar në një aeroport në Britani.

Politika do të zbatohet si për banorët, ashtu edhe për vizitorët, me disa përjashtime për drejtuesit e kamionëve, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit që udhëtojnë nga Irlanda dhe që kanë qenë atje për së paku dy javë.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se rregullat e reja kanë kuptim, sepse "përqindja e infeksioneve që vijnë nga jashtë rritet", derisa rastet brenda Britanisë bien.

“Duhet të ndërmarrim një qasje që nis me kujdes”, tha ai për Sky News.

Për të hyrë në Britani me aeroplan, tren, makinë ose anije, udhëtarët duhet të japin detaje për udhëtimin e tyre dhe adresën ku do të vetizolohen.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri global i të infektuarve nga koronavirusi ka kaluar tashmë shtatë milionë – prej tyre mbi tre milionë janë shëruar dhe mbi 402,000 kanë vdekur.

Të dhënat po ashtu tregojnë se numri i rasteve po rritet shpejt në Amerikën Latine.

Presidenti i Guatemalës, Alejandro Giammattei, tha se 18 punonjës të zyrës së tij kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus dhe se ai do të punojë nga distanca.

Giammattei tha në një adresim televiziv se ai dhe nënpresidenti janë testuar dhe se nuk kanë koronavirus.

Ky vend i Amerikës Qendrore ka regjistruar mbi 7,000 të infektuar dhe 252 viktima.

Zhvendosja e virusit në botën në zhvillim vjen në kohën kur Azia Lindore dhe Evropa raportojnë për rënie të vazhdueshme të numrit të të infektuarve dhe viktimave.

Shumë vende në Evropë që janë goditur rëndë, kanë rihapur tashmë ekonomitë, ndërsa janë duke planifikuar rihapjen e plotë të kufijve./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat