Pandemia COVID-19: 10 milionë njerëz të infektuar. Më shumë se gjysma janë shëruar, 500 mijë kanë vdekur

Bota

Pandemia COVID-19: 10 milionë njerëz të infektuar. Më shumë se gjysma janë shëruar, 500 mijë kanë vdekur

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 22:56
Ilustrim

Ka kaluar shifrën 10 milionë, pandemia COVID-19 duke pësuar një rritje galopante të të infektuarve sidomos javët e fundit. Vetëm dje, u shënuan afro 200 mijë të prekur nga koronavirusi dhe rreth 5 mijë të vdekur.

Aktualisht ka arritur në 500 mijë numri total i të vdekurve nga virusi që përbën 8 për qind të rasteve të mbyllura. Mbi 5 milionë e 400 mijë njerëz konfirmohen të jenë shëruar.

Ende të infektuar janë mbi 4 milionë persona të evidentuar, ndër të cilët 57 mijë ose 1 për qind janë në gjendje kritike.

Me më shumë se 2.5 milionë të infektuar, SHBA kanë edhe numrin më të lartë të vdekjeve, mbi 127 mijë jetë të humbura.

Brazili numëron deri sot gati 1.3 milionë të infektuar dhe 56 mijë të vdekur.

Rusia ka 620 mijë të infektuar dhe rreth 9 mijë të vdekur.

E gjithë Europa regjistron afro 2.4 milionë të infektuar dhe më shumë se 190 mijë të vdekur.

Ndër fqinjët tanë, Italia duket se po e mbyll kapitullin e COVID-19. Sot ajo raportoi 8 të vdekur dhe 175 të infektuar ndër afro 60 mijë tamponë të bërë.

Greqia raporton gjithsej 3.300 të infektuar dhe 191 të vdekur, ndërsa Maqedonia, gati 6 mijë të infektuar dhe 268 të vdekur. Mali i Zi ka raportuar gjithsej 435 të infektuar dhe 9 të vdekur. Kosova njofton për 2494 të prekur dhe 44 jetë të humbura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat