Rohani kërkon largimin e trupave “jolegjitime” amerikane nga Siria

Bota

Rohani kërkon largimin e trupave “jolegjitime” amerikane nga Siria

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 18:11
Hasan Rohan, Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan

Prezenca “jolegjitime” e forcave amerikane në Siri duhet të ndalet menjëherë, i ka thënë presidenti iranian, Hasan Rohani, presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në një video-konferencë më 1 korrik, ku është diskutuar për shtetin e shkatërruar nga lufta.

Këto janë bisedimet e para prej shtatorit të vitit të kaluar, të realizuara sipas formatit të Astanas.

Përmes tij, këto tri shtete diskutojnë zhvillimet në Siri, derisa konflikti ka hyrë në vitin e 10-të.

Irani dhe Rusia kanë mbështetur vazhdimisht presidentin sirian, Bashar al-Assad, derisa Turqia ka bërë thirrje për largimin e tij, duke mbështetur luftëtarët opozitarë.

Të trija këto shtete kanë luftuar kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS).

Pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në dhjetor të vitit 2018, për largim të 2,000- 2,5000 trupave ushtarake nga Siria, SHBA-ja aktualisht është duke planifikuar që të largojë shumicën e trupave deri në fund të këtij viti.

Rohani ka insistuar se “nuk ka zgjidhje ushtarake” për Sirinë, mirëpo ka theksuar vendosshmërinë për çrrënjosje të IS-it nga ky shtet.

Putin në anën tjetër u ka thënë homologëve të tij se ekziston nevoja e një dialogu paqësor në mes të palëve të konfliktit, që ka lënë të vdekur më shumë se 380,000 persona dhe ka detyruar miliona të tjerë që të shpërngulen.

Putin ka thënë se disa pika të terrorizmit ende vërehen në rajonin Idlib të Sirisë, dhe disa rajone tjera.

Turqia dhe Rusia janë pajtuar për armëpushim në muajin mars, për provincën Idlib, të kontrolluar nga rebelët, pas një ofensive të forcave qeveritare siriane, që janë mbështetur nga Rusia.

Si pasojë e përleshjeve, mbi 1 milion persona janë larguar nga rajoni, duke rrezikuar nisjen drejt Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat