Pesë të vrarë në një kishë në Afrikën Jugore, sulmuesit morën pengje

Bota

Pesë të vrarë në një kishë në Afrikën Jugore, sulmuesit morën pengje

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 14:15
Afrika e Jugut

Pesë persona janë vrarë në orët e hershme të së shtunës në Gauteng të Afrikës Jugore pas një sulmi ku kishte edhe marrje të pengjeve.

Sipas policisë së këtij shteti, incidenti ndodhi në kishën “International Pentecost Holiness”. Policia iu përgjigj një thirrjeje për të shtëna dhe marrje të pengjeve rreth orës 3 të mëngjesit, shkruan “News24”.

“Dyshohet se një grup i personave të armatosur ka shkuar në kishë dhe i ka sulmuar njerëzit që ndodheshin brenda”, tha zëdhënsi i policisë kombëtare, Vish Naidoo.

Policia është duke e hetuar mundësinë nëse sulmi ka qenë i motivuar nga një armiqësi mes palëve konfliktueze në kishë.

“Katër persona janë gjetur të qëlluar me armë dhe të djegur në një veturë, ndërsa viktima e pestë, një roje, u qëllua për vdekje në veturën e tij”, shtoi Naidoo.

Policia i ka arrestuar mbi 40 persona të dyshuar, përfshirë gjashtë që janë dërguar në spital për shkak të lëndimeve. Në mesin e të arrrestuarve ka edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Për më tepër, policia i ka sekuestruar 34 armë zjarri, përfshirë 21 pushkë dhe 13 pistoleta.

Në nëntor të vitit 2018, dy fraksione të kësaj kishe ishin përleshur mes vete para selisë qendrore të kishës në Zuurbekom.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat