Mbi 700 mijë të vdekur nga koronavirusi në tërë botën, një viktimë në çdo 15 sekonda

Bota

Mbi 700 mijë të vdekur nga koronavirusi në tërë botën, një viktimë në çdo 15 sekonda

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Sipas të dhënave të agjencisë Reuters, numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në tërë botën ka shkuar në mbi 700 mijë. Shifrat më të mëdha të të vdekurve po i shënojnë Shtetet e Bashkaura, Brazili, India dhe Meksika.

Rreth 5 mijë e 900 persona po vdesin nga Covid-19 çdo 24 orë në nivel botëtor, sipas të dhënave të kësaj agjencie, të nxjerra nga statistikat e dy javëve të fundit. Kjo nënkupton që janë shënuar mesatarisht 247 të vdekur në orë ose një i vdekur për çdo 15 sekonda.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se përhapja e koronavirusit është nën kontroll për aq sa ekzistojnë mundësitë, ndonëse në ShBA janë shënuar mbi 155 mijë viktima, që është shifra më e lartë në botë.

“Ata po vdesin, kjo është e vërtetë. Por kjo nuk nënkupton që ne nuk po bëjmë gjithçka që mundemi. Është nën kontroll për aq sa mund të kontrollohet. Kjo është një epidemi e tmerrshme”, tha ai gjatë një interviste.

Në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro e ka minimizuar efketin e pandemisë dhe i ka kundërshtuar masat kufizuese, ndonëse disa anëtarë të kabinetit të tij janë infektuar me virusin e ri.

Koronavirusi ishte përhapur fillimisht më pak në Amerikën Latine, ku banojnë rreth 640 milionë njerëz. Megjithatë, zyrtarët u përballën me vështirësi për ta kontrolluar përhapjen e madhe më vonë për shkak të varfërisë në rajon dhe qyteteve me popullsi të dendur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat