Kabineti i Libanit shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Bejrut

Bota

Kabineti i Libanit shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Bejrut

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 06:00
Bejrut

Kabineti i Libanit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Bejrut për një periudhë dyjavore pas shpërthimit të së martës që shkatërroi pjesën më të madhe të portit të qytetit. Nga shpërthimi u vranë të paktën 135 persona dhe rreth pesë mijë janë plagosur.

Ministri i Shëndetësisë tha se dhjetëra njerëzve nuk u dihet fati. Ekipet e shpëtimin vazhdojnë kërkimin nën rrënoja. Ministri tha se deri në 250 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë.

Kabineti dha urdhër të vendosen në arrest shtëpie të gjithë zyrtarët e portit të Bejrutit që janë marrë me dopozitimin e mallrave dhe me sigurinë që nga viti 2014. Arresti shtëpiak do të jetë nën mbikëqyrjen e ushtrisë, derisa të përcaktohet se kush e mban përgjegjësinë për shpërthimin e madh të së martës, thanë burimet.

Megjithëse shkaku zyrtar i shpërthimit është i panjohur, Presidenti libanez Michel Aoun në një postim në Twitter tha: "Unë nuk do të jem i kënaqur derisa ta gjejmë personin përgjegjës për atë që ndodhi dhe t’i japim dënimin më të rëndë, sepse është e papranueshme që një dërgesë e nitrat amonit që vlerësohet se peshonte 2750 tonë të ketë qenë e pranishme për 6 vjet në një depo pa marrë masa parandaluese për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve."

Ngarkesa 2,750 tonëshe ruhej në port pas konfiskimit nga një anije në vitin 2013 dhe besohet se shpërtheu pas një zjarri që kishte nisur aty pranë.

Shpërthimi solli një valë goditjeje me forcën e një tërmeti të shkallës 3.5. Ai ishte më i madhi që ishte parë ndonjëherë në Bejrut, një qytet i cili ka qenë shkatërruar më parë nga lufta civile e viteve 1975-1990. Qyteti ka qenë bombarduar në konfliktet me Izraelin dhe është goditur herë pas here nga sulme terroriste.

Kryeministri Hassan Diab u takua të martën mbrëma me Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, duke shprehur mbështetjen e tij për ata që ai i quan "dëshmorë" dhe një shërim të shpejtë për të plagosurit. Ai gjithashtu bëri thirrje për formimin e një komisioni hetimor.

Zoti Diab e ka shpallur të mërkurën një ditë zie në Liban.

Një stacion televiziv libanez tha se zyrtarët dyshojnë se nitrat amoni i magazinuar në port mund të ketë qenë pjesë e shpërthimit. Njerëzit njoftuan se kishin parë një re ngjyrë portokalli mbi vendin e shpërthimit. Ekspertët thonë se retë e tilla zakonisht shoqërojnë shpërthime që përmbajnë nitrat amoni.

Një zyrtar izraelit menjëherë tha se Izraeli nuk kishte lidhje me shpërthimin. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Libanit janë të tensionuara sepse grupi terrorist Hezbollah, i bazuar në Liban është përqëndruar përgjatë kufirit jugor me Izraelin.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha në një deklaratë, "Unë shpreh ngushëllimet e mia të thella për të gjithë ata që janë prekur nga shpërthimi masiv në portin e Bejrutit sot. Ne jemi duke ndjekur nga afër situatën dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë popullin e Libanit ndërsa ata rimëkëmben nga kjo tragjedi".

Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një konference shtypi për koronavirusin të martën në Shtëpinë e Bardhë se "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të ndihmuar Libanin. Ne do të jemi atje për të ndihmuar. Duket si një sulm i tmerrshëm”.

Presidenti Trump tha gjithashtu se zyrtarë ushtarakë amerikanë me të cilët ai kishte folur mendonin se shpërthimi ishte "një lloj bombe".

Por, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper të mërkuren në konferencën e Aspenit për Sigurinë tha për shpërthimin se "shumica besojnë se ishte një aksident, ashtu siç është raportuar". "Është e qartë se kjo është një tragjedi. Në video mund të shihen pasojat shkatërrimtare të tij", shtoi ai.

Sipas njoftimeve shpërthimi ishte përqendruar pranë portit të Bejrutit duke sjellë për pasojë shkatërrim në shkallë të gjerë e copëtuar dritare që ndodheshin disa kilometra larg.

Shpërthimi ndodh ndërsa një gjykatë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara po zhvillon një proces gjyqësor ndaj katër personave që i përkasin grupit shiit Hezbollah. Ata dyshohet se kanë vrarë ish-udhëheqësit sunit të Libanit, Rafik Hariri, gjatë një sulmi me një kamion me eksploziv 15 vite më parë, ngjarje që shkaktoi trazira rajonale. Gjykata ka në plan të marrë një vendim të premten, një zhvillim që mund të trondisë vendin sërish.

Shpërthimi ndodh gjithashtu gjatë një prej krizave më të rënda ekonomike dhe financiare të Libanit në dekada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat