Pesë muaj pandemi/ 20 milionë të infektuar në botë

Bota

Pesë muaj pandemi/ 20 milionë të infektuar në botë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 22:49
Ilustrim

Pesë muaj pasi organizata botërore e shëndetësisë shpalli krizën e koronavirusit pandemi globale, numri i rasteve të covidit në të gjithë botën po i afrohet 20 milionëve, me thuajse 730 mijë viktima të konfirmuara. Numri aktual i infektimeve, sipas universitetit Johns Hopkins, është 19.792.519 me një mesatare ditore rastesh të reja prej më shumë se 250 mijë.

Rastet globale, janë dyfishuar në vetëm gjashtë javë dhe janë rritur 200 herë më shumë krahasuar me mesin e marsit. Viktimat janë rritur nga më shumë se 4 mijë në shkallë globale në kohën kur OBSH shpalli pandeminë në më shumë se 730 mijë tani.SHBA, që të dielën kapërceu 5 milionë infektimet, zë një të katërtën e rasteve totale globale e po ashtu atje shënohet edhe një në pesë viktimat e covidit në botë, çdo ditë. Është vendi më i prekur në botë si përsa i takon rasteve ashtu edhe viktimave.

Një në çdo 65 amerikanë ka rezultuar pozitiv për koronavirusin ndërsa një në 2000 ka humbur jetën nga covid 19 që nga fillimi i pandemisë. Brazili, me më shumë se 3 milionë infektime është vendi i dytë më i prekur në botë. Të dielën vendi regjistroi një rekord të zymtë me numrin e viktimave që shkoi në mbi 100 mijë. Si presidenti brazilian Jair Bolsonaro, ashtu edhe ai amerikan, Donald Trump, gjatë pesë muajve të fundit janë përpjekur të minimizojnë rreziqet nga virusi me Bolsonaron që e ka quajtur atë një grip të vogël dhe me Trump që premton në vazhdimësi se sëmundja do të zhduket nën lidershipin e tij.

Ndërkohë Kina, vendi ku virusi u shfaq në fund të dhjetorit 2019, raportoi së fundmi vetëm 14 raste infektimesh lokale në 24 orët e shkuara. Ndërkohë që 35 raste të reja ishin sjellë në vend nga kinezë që ktheheshin nga vende të tjera. Ka tani 29 shtete të botës me bilance më të rënda se Kina.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat