​Musliu: Ndërhyrja e Putinit në Bjellorusi, e dobëson pozicionin e tij në Ballkan

Bota

​Musliu: Ndërhyrja e Putinit në Bjellorusi, e dobëson pozicionin e tij në Ballkan

Më: 24 gusht 2020 Në ora: 09:40
​Musliu: Ndërhyrja e Putinit në Bjellorusi, e dobëson pozicionin e tij në Ballkan

Kriza në Bjellorusi pas manipulimit të zgjedhjeve presidenciale, ku diktatori Aleksander Lukashenko “mori” 80 % të votave, ka nxjerrë shumë mundësi të zhvillimit të situatës në këtë vend dhe me reflektime serioze gjithandej, e edhe në Ballkanin Perëndimor. Kështu ka thënë për Kosovapress analisti i çështjeve të sigurisë Agim Musliu.

Fatin që tashmë Putini ka orientuar energjitë në Bjellorusi, Musliu e konsideron si mundësi të zvogëlimit të ndikimit rus në Ballkan.

“Ka pasur edhe më herët elemente përçarëse në mes të Federatës Ruse dhe Vuçiqit. Por, tash mund të konstatohet se energjia e Putinit drejt Bjellorusisë, e dobëson pozicionin e tij në Ballkan, përkatësisht në Serbi. Madje, nuk e përjashtoj se ky është fillimi i fundit të prezencës kaq të madhe ruse në Ballkan”, ka thënë ai.

BBC ka raportuar se Lukashenko, ka thënë se “fuqitë e huaja po dërgojnë trupa ushtarake në kufi me Bjellorusinë”, gjë të cilën e ka demantuar NATO-ja.

Mirëpo, Musliu thotë se kjo është një gjendje paniku e diktatorit Lukashenko.

“Lukashenko mund të luajë planin e Vladimir Putinit, që ta shtypë popullin e vet, përkatësisht protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve në Minsk. Mirëpo, kjo nuk ia garanton atij qëndrimin në pushtet edhe pse është veshur me uniformë ushtarake”, ka thënë Musliu.

Madje, sipas tij, paraqitja e Lukashenkos në këtë formë, e tregon se ai është shumë i shqetësuar.

“Duhet ta kemi parasysh që Lukashenko, ky mik i diktatorit serb Slobodan Milosheviq, është një kukull e Putinit. Megjithëse është në pushtet qe më shumë se dy dekada, Lukashenko ndjen frikë se do të bëhet një viktimë që qëndron në zjarrin në mes të Putinit në një anë, dhe popullit të tij në anën tjetër”, ka deklaruar ai.

Mediat e huaja kanë raportuar se ka gjasa që Putini të ndërhyjë ushtarakisht në Bjellorusi. Format e ndërhyrjes ruse zakonisht nuk janë të drejtpërdrejta, por shfaqen me ofrim te armatimit, e në raste të tjera edhe me trupa joformale ushtarake.

Përkrahjen e tillë e ka komentuar edhe Musliu, i cili ka deklaruar se ka të dhëna që tashmë janë vërejtur lëvizje të rusëve atje.

“Burimet bjelloruse kanë thënë se e kanë parë një aeroplan privat, i cili është përdorur nga udhëheqësi i FSB-së ruse, Bortnikov, më 18 gusht dhe në anën tjetër, disa ditë më parë, dy aeroplanë të tjerë kanë arritur në Minsk me pajisje të veçanta të komunikimit. Mund të vijnë edhe trupa të quajtura proksi (ushtarë joformalë) që ta mbështesin Lukashenkon në shtypjen e protestave, por të gjitha këto janë të pamjaftueshme kundrejt vullnetit qytetar bjellorus për jetë të lirë dhe më të mirë”, ka thënë Musliu për KosovaPress.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat