Vaksina kundër COVID-19 mund të vihet para rregullatorëve deri në fund të vitit 2020

Bota

Vaksina kundër COVID-19 mund të vihet para rregullatorëve deri në fund të vitit 2020

Më: 25 gusht 2020 Në ora: 14:19
Foto Ilustrim

Një vaksinë të mundshme kundër coronavirusit që po e zhvillojnë së bashku Universiteti i Oksfordit dhe prodhuesi i barnave, AstraZeneca mund të vihet deri në fund të këtij viti para rregullatorëve të ilaçeve.

Kështu së paku deklaroi të martën drejtori i grupit të vaksinave në Oksford të Britanisë së Madhe, Andrew Pollard, transmeton Telegrafi.

“Thjesht është e mundur që, nëse rastet e provave klinike shtohen me shpejtësi, ne mund t’i kemi ato të dhëna këtë vit para rregullatorëve shëndetësor dhe më pas të kalohet përmes një procesi të vlerësimit të plotë të të dhënave”, tha profesori Pollard, raporton CNN.

Sidoqoftë, duke folur për BBC Radio 4, Pollard paralajmëroi se procesi mund të zgjasë më shumë pasi që varet se sa të dhëna do të jenë në gjendje të mbledhin shkencëtarët.

“Unë mendoj për kohën, sepse virusi do të vazhdojë të transmetohet në komunitetet tona, ne do të kemi, madje edhe me një mijë njerëz, përfundimisht informata të mjaftueshme për të ditur nëse vaksina funksionon apo jo – por kjo mund të zgjasë me vite”, tha Pollard.

“Të kesh njëzet mijë njerëz në testime, do të thotë se periudha kohore do të jetë më e shkurtër, por për fat të keq, nuk mund ta parashikoj plotësisht të ardhmen se sa testime klinike do të ndodhin në muajt e ardhshëm”, shtoi ai.

Ndryshe, 23.7 milionë njerëz janë infektuar globalisht gjersa kanë ndërruar jetë mbi 813 mijë persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat