Greqia dhe Turqia, bisedime në selinë e NATO-s

Bota

Greqia dhe Turqia, bisedime në selinë e NATO-s

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 06:38
Ilustrim

Zyrtarët turq dhe grekë u takuan të enjten në selinë e NATO-s për bisedime që synojnë të parandalojnë shkallëzimin e mëtejshëm ushtarak në Mesdheun lindor, ndërkohë që Greqia bëri thirrje për sanksione "me peshë" të Bashkimit Evropian kundër Turqisë.

Zyrtarë ushtarakë nga dy vendet, që të dyja anëtare të Aleancës, do të zhvillonin bisedime në Bruksel të martën pas një kontakti fillestar javën e kaluar, por NATO-ja i shtyu bisedimet.

Bisedimet e njoftuara nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg synojnë të parandalojnë një shkallëzim ushtarak nga incidente të tilla siç ishte përplasja mes anijeve ushtarake turke dhe greke muajin e kaluar.

Anijet greke ishin në vëzhgim të një mjeti lundrues turk që bën kërkime për naftë dhe gaz në ujërat e diskutueshme mesdhetare në perëndim të Qipros, një operacion që Greqia e ka dënuar si të paligjshëm. Ankaraja dhe Athina e shikojnë këtë zonë si pjesë të shelfit të tyre kontinental.

Greqia thotë se çdo bisedim mes palëve do të varet nga largimi i anijes eksploruese turke nga ujërat e diskutueshme, por Turqia ngul këmbë se nuk mund të hyjë në negociata me parakushte.

Bisedimet teknike në selinë e NATO-s nuk do të trajtojnë çështjet thelbësore për mosmarrëveshjet territoriale, por në to mund të diskutohet mbi krijimin e një linje të posaçme komunikimi midis ushtarakëve të të dyja vendeve.

"Turqia vazhdon të mbështesë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes përmes dialogut dhe pa ndonjë parakusht", tha një burim i palës turke.

Greqia ka bërë thirrje për sanksione të Bashkimit Evropian ndaj Turqisë.

Të enjten, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se BE-ja duhet të vendosë sanksione "me peshë" ndaj Turqisë nëse ajo nuk i tërheq anijet nga zona.

Ai tha se Turqia dhe Greqia kanë nevojë për dialog, "por jo nën kërcënimin e armëve".

Mosmarrëveshjet në Mesdheun lindor kanë vonuar sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Bjellorusisë, thanë katër diplomatë të BE-së, ndërkohë që janë shtuar edhe tensionet midis Turqisë dhe Francës, të cilat kanë mosmarrëveshje në një mori fushash.

Krerët e BE-së do të takohen në 24 dhe 25 shtator për të diskutuar mbi këto çështje./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat