Ish-ambasadori britanik në ShBA paralajmëron dhunë pas zgjedhjeve presidenciale

Bota

Ish-ambasadori britanik në ShBA paralajmëron dhunë pas zgjedhjeve presidenciale

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 14:55
Kim Darroch

Ish-ambasadori britanik në Uashington, Kim Darroch, ka paralajmëruar se mund të ketë dhunë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Darroch vuri në pah se ndonëse Joe Biden është duke pasur epërsi të konsiderueshme në nivel kombëtar, por dallimi në disa shtete është duke rënë, duke thënë se anketat vazhdimisht mund ta nënvlerësojnë numrin e përkrahësve të presidentit të tanishëm.

“Unë nuk jam i sigurt se anketat vërtet dinë si t’i numërojnë votuesit e Trumpit”, tha Darroch gjatë një interviste, shkruan The Guardian.

Ai i përmendi rastet e dhunës në Portland, Oregon dhe Kenosha, pasi policia i qëlloi me armë amerikanët me ngjyrë që nuk ishin të armatosur.

Sipas ish-diplomatit, shtimi i dhunës në kohë kur po afrohet data e zgjedhjeve i rrit gjasat për garë të ngushtë dhe të kontestuar.

“Ndoshta (gara) është shumë më e ngushtë në terren në shtetet kyçe sesa duket në anketa”, tha Darroch për gazetën The Guardian.

“Nëse Bideni fiton, ekziston pyetja nëse tabori i Trumpit do ta përkrahë dhe nëse do ta pranojë atë si rezultat”, shtoi ai.

I pyetur për rrezikun e dhunës në Shtetet e Bashkuara, Darroch tha: “Mendoj se (rreziku) është aty. Të gjithë ne i kemi parë Portlandin dhe Kenoshan dhe duket si një rrezik i vërtetë. Ai 17-vjeçari që i qëlloi protestuesit dhe reagimi në të gjitha qarqet është vërtet frikësues”, tha Darroch.

“Kushdo që fiton, ju vetëm shpresoni se njerëzit do ta pranojnë rezultatin dhe do ta marrin shtruar atë, ndonëse unë nuk do të mund të thosha se jam i sigurt që kështu do të ndodhë”, shtoi ish-ambasadori britanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat