Spiunët rusë keqpërdorin imunitetin diplomatik për kontrabandë të kokainës

Bota

Spiunët rusë keqpërdorin imunitetin diplomatik për kontrabandë të kokainës

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Siç njoftojnë mediat e huaja, shërbimet inteligjente dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të Rusisë, kanë komplotuar për të zvogëluar rëndësinë politike në lidhje me “Rastin Kokaina”, ku besohet se janë të kyçur zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të shërbimeve inteligjente ruse, transmeton KosovaPress.

“Rasti Kokaina”, kishte ndodhur në shkurt të vitit 2018, në Argjentinë, kur ministrja e brendshme argjentinase, Patricia Bullrich, kishte postuar në Twitter videon e kapjes së valixheve me 400 kg. kokainë. Valixhet me kokainë ishin kapur në shkollën e Ambasadës ruse në Buenos Aires. Droga ishte duke pritur që përmes postës diplomatike të transportohej në Rusi.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vite, deri më tani vetëm disa detaje të vogla janë bërë publike dhe ende nuk është arritur të zbardhet rasti dhe të gjenden organizatorët e vërtetë të “Rastit Kokaina”.

Tre punëtorë të misionit diplomatik rus në Argjentinë, të akuzuar se qëndrojnë mbrapa kontrabandimit të drogës i mohojnë akuzat, duke thënë se mbrapa qëndrojnë persona me ndikim dhe se ata janë viktima të mbulimit të personave, nga nivelet e larta politike dhe të shërbimeve inteligjente ruse.

Dyshimet për implikimin e shërbimeve inteligjente ruse, në “Rastin Kokaina”, thellohen edhe më shumë kur mësohet se me aeroplanin me të cilin ishte bërë transportimi i drogës, për në Argjentinë kishte fluturuar edhe Nikolai Petrushev, drejtuesi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, ish-drejtori i FSB-së ruse, i cili në opinion njihet si njëri ndër njerëzit më të besueshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Në korrik 2018, në Gjermani ishte arrestuar dhe më pas ekstraduar për në Rusi, Andrei Kovalchuk, i cili cilësohet si një nga organizatorët e trafikimit të kokainës nga Argjentina në Rusi.

Andrei Kovalchuk, thuhet se është pjesëtar i shërbimeve inteligjente ruse dhe gjatë aktiviteteve të tij klandestine ishte paraqitur ose si punonjës i Ministrisë së jashtme ruse ose i Kompanisë shtetërore të gazit-Gazprom, kompani e cila cilësohet si çerdhe e spiunazhit klandestin rus në shtetet perëndimore.

Kovalchuk, në vitin 2012 kishte telefonuar Ambasadën ruse në Argjentinë dhe ishte paraqitur si pjesë e sigurimit të Ambasadës ruse në Berlin, duke njoftuar se do të vizitoj zyrtarisht Argjentinën. Pasi Kovalchuk kishte përfunduar vizitën në Argjentinë, ai ishte përcjellë me veturë diplomatike deri në aeroport dhe se me veti kishte pasur një valixhe, të rëndë rreth 25-30 kilogram. Kovalchuk, pjesëtarit të sigurimit të Ambasadës ruse në Argjentinë, i cili e kishte pasur valixhet e tij, i kishte thënë se në valixhe ka verë, kafe dhe ëmbëlsira.

Kovalchuk, gjatë viti 2013 kishte vizituar Argjentinën edhe tri herë, por tani jon në cilësinë e zyrtarit të sigurisë së Ambasadën ruse në Berlin, por si punonjës i Gazprom-it rus.

Kovalchuk, kishte vazhduar të vizitonte Argjentinën edhe gjatë viteve 2014, 2015, 2016 dhe gjithmonë gjatë kthimit kishte një ose dy valixhe të mëdha, për të cilat thoshte se ka verë, kafe dhe ëmbëlsira.

Se shërbimet ruse dhe Qeveria ruse janë të implikuara në “Rastin Kokaina”, dëshmon një nga marshutat e zbardhura të valixheve të Kovalchuk, nga Argjentina deri në Rusi. Valixhet ishin futur në aeroplanin rus Ilushin, me të cilin udhëton, Nikolai Petrushev, drejtuesi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë. Pasi aeroplani kishte ateruar në Moskë, valixhet ishin dërguar në depon e Shërbimit inteligjent të brendshëm rus-FSB. Më pas, valixhet ishin tërhequr ditën tjetër nga një korrier i Ministrisë së jashtme ruse.

Në opinion si skenari më i besuar i kontrabandimit të kokainës nga Argjentina në Rusi, thuhet se ky është operacion i shërbimeve inteligjente ruse, ku përmes parave që fitoheshin nga kontrabanda bëhej financimi i operacioneve klandestine të shërbimeve të jashtme inteligjente ruse (SVR-shërbimi i jashtëm civil dhe GRU-shërbimi i jashtëm ushtarak).

Pasi që operacionet klandestine të shërbimeve inteligjente ruse janë operacione tepër sekret, opinioni publik si në Rusi ashtu edhe jashtë saj asnjëherë nuk do të mësoj se kush qëndron prapa “Rastit Kokaina” dhe se Kovalchuk dhe tre të dyshuarit tjerë do të dënohen vetëm për të arsyetuar veprimet e shtetit rus, në raport me drejtësinë ndërkombëtare.

Derisa tre zyrtarët e arrestuar të Ambasadës ruse në Argjentinë do të vuajnë dënimin, Kovalchuk do të lirohet duke i dhënë identitet i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat