Mbi 1 milion të vdekur, Covid-19 vijon të mbajë mbërthyer botën

Bota

Mbi 1 milion të vdekur, Covid-19 vijon të mbajë mbërthyer botën

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 07:56
Ilustrim

Koronavirusi preku një pikë të re kulmore të përhapjes duke shënuar për të parën herë mbi 1 milionë viktima në gjithë globin, më saktësisht 1,006,381 të vdekur që nga nisja e pandemisë.

Sa i përket të infektuarve, numri ka arritur në mbi 33 milionë e gjysmë, ndërsa ai i të shëruarve po i afrohet 25 milionëve.

Ritmet e përhapjes janë përshpejtuar përgjatë javëve të fundit, çka po vërteton dita ditës parashikimet e ekspertëve se kjo vjeshtë do të jetë e vështirë.

Ritme të larta përhapjeje kanë disa vende të Bashkimit Europian, ku në krye është Franca që këtë të hënë njoftoi mbi 11 mijë raste infektimesh ditore. Në Marsejë dhe disa qytete të tjera të jugut të Francës, nga kjo e hënë baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura për 15 ditë.

Problematike situata vijon të mbetet edhe në Spanjë, kryesisht në Madrid ku autoritetet nuk po e përballojnë dot dyndjen e pacientëve në spitale. India preku kuotën e 6 milionë të prekurve teksa renditet mes Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit, ndër vendet me numrin më të lartë të të prekurve nga COVID-19.

Sa i përket vendit tonë, Shqipëria numëron deri tani 13,391 të infektuar dhe 380 viktima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat