Përshkallëzohet situata afër Kaspikut

Bota

Përshkallëzohet situata afër Kaspikut

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 15:16
Foto

Ushtritë e Azerbajxhanit dhe Armenisë po shfrytëzojnë artileritë më të rënda për të zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale mes tyre.

Konflikti luftarak më i ashpër prej një çerekshekulli u ndez të dielën në provincën autonome të Karabakut të Sipërm dhe deri tani ka shkaktuar afro 100 viktima.

Të dyja palët, ndërkohë, pretendojnë secila për vrasjen e qindra ushtarëve kundërshtarë dhe për shkatërrime të regjimenteve, të depove armike të armatimit dhe avionëve rivalë.

Në ditën e tretë të përplasjeve, bilanci përfshin edhe të paktën 10 civilë azerbajxhanas dhe 2 qytetarë të thjeshtë të vrarë në territorin armen.

“I nxorëm fëmijët jashtë që të fshiheshim, por nuk ia dolëm. Vajza ime 9 vjeçe mbeti e vrarë nga artileria apo bomba që na hodhën në Karabak. Plagë mori edhe djali i vogël e gruaja.”

“Kam tetë fëmijë dhe na sollën direkt nga fshati në spital. Nuk e di si është situata atje. Kemi vetëm një vit që blemë shtëpinë, dhe nuk po na lënë ta gëzojmë, as tokën, as ujin këtu.”

Armenia ka aktivizuar ligjin ushtarak duke thirrur në shërbim rezervistët e vet.

Një mobilizim i pjesshëm është kryer edhe në Azerbajxhan, ku autoritetet anuluan të hënën të gjitha linjat ndërkombëtare të fluturimit me përjashtim të atyre me Turqinë.

Në prag të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryediplomati amerikan, Majk Pompeo, bëri thirrje për armëpushim mes dy fqinjëve pas takimit me homologun grek në ishullin e Kretës.

“Biseduam së bashku për konfliktin në Karabakun e Sipërm dhe u dakorduam se palët duhet të ndalin dhunën dhe të punojnë me grupin e Minskut sa më shpejt për negociata.”

Liderët e botës i druhen skenarit të luftës mes ish-republikave sovjetike, dhe mundësisë që një destabilizim i situatës të fuste në lojë aktorë si Rusia apo Turqia.

Rusia është aleate ushtarake e Armenisë ndërsa Turqia ka dalë në krah të Azerbajxhanit.

Në vitin 1991, rajoni i Karabakut të Sipërm u nda me luftë nga Azerbajxhani.

E njohur edhe si Republika e Artzakit, territori me sipërfaqe 11.500 mijë km katrorë dhe rreth 140 mijë banorë njihet si pjesë e shtetit azer, edhe pse udhëheqësit e saj e konsiderojnë atë pjesë të pandashme të Armenisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat