Publikohen video ku dy ushtarë armenë kapen dhe ekzekutohen nga Azerbajxhani

Bota

Publikohen video ku dy ushtarë armenë kapen dhe ekzekutohen nga Azerbajxhani

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 11:02
Armenët në Azerbajxhan

Pamje të krimeve të mundshme të luftës në Nagorno-Karabak kanë filluar të qarkullojnë në internet. Në një video shihet se si ushtarët azerë i kapin dy burra me uniformë të ushtrisë armene, për të cilët thuhet se janë ekzekutuar më vonë.

Në një video tjetër, të publikuar në një aplikacion për dërgimin e mesazheve, por që nuk është publikuar nga televizioni BBC për shkak të pamjeve të rënda, dy armenët shihen duke u qëlluar pas shpine me duar të lidhura.

Pamje nga videoja e dytë, ku shihet ekzekutimi i dy armenëve të kapur

Image

Autoritetet armene i kanë identifikuar dy burrat e shfaqur në video si Benik Hakobyan, 73 vjeç, dhe Yuri Adamyan, 25 vjeç. Sidoqoftë, Azerbajxhani ka thënë se kjo video është e rreme.

Këshilli i Evropës, i cili merret me të drejtat e njeriut, ka thënë se e ka pranuar videon dhe do t’i hetojë shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.

Në videon e parë, ku dy burrat kapen, një person që flet rusisht me theks të rëndë azer, i urdhëron ata që të lëvizin përpara dhe t’i mbajnë duart lart, ndërsa ushtarëve u thotë që të mos i qëllojnë personat e kapur.

Pamje nga videoja e parë, ku një ushtar azer e rrëzon në tokë një burrë të moshuar armen

Burri më i ri, Yuri Adamyan, shihet duke i larguar nga trupi një helmet dhe pallton ushtarake para se t’i ngrisë duart lart dhe të vazhdojë të ecë në drejtim të ushtarëve.

Personi tjetër rrëzohet në tokë nga një ushtar dhe dëgjohet duke rënkuar nga dhimbjet. Në videon tjetër, e cila nuk është publikuar nga mediet e mëdha, shihet qartazi ekzekutimi i tyre.

Burrat e zënë shihen me duar të lidhura pas shpinës dhe të mbuluar nga flamuri i Armenisë dhe flamuri i Nagorno-Karabakut, republikë e panjohur ndërkombëtarisht.

Dikush në video dëgjohet duke urdhëruar: “Qëllojini kokat e tyre” dhe më pas dëgjohen shumë të shtëna. Burrat bien në tokë.

Televizioni BBC i ka studiuar videot dhe ka konfirmuar se ato janë incizuar në Hadrut, qytezë ku ka pasur luftime të ashpra. Besohet se videot janë incizuar mes datave 9 dhe 15 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat