Pfizer dhe BioNTech aplikojnë për miratimin e vaksinës për COVID-19

Bota

Pfizer dhe BioNTech aplikojnë për miratimin e vaksinës për COVID-19

Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 09:41
Fotografi nga arkivi.

Gjiganti farmaceutik amerikan, Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech kanë aplikuar për autorizim emergjent të vaksinës së tyre në Shtetet e Bashkuara.

Aplikimi në Administratën për Ushqim dhe Barna (FDA) më 20 nëntor nis një proces që pritet të zgjasë me javë dhe kompanitë synojnë që vaksina e tyre të jetë në dispozicion në muajin dhejtor.

“Me krenari dhe gëzim ju njoftojmë se kërkesa jonë për autorizim emergjent për përdorimin e vaksinës tonë për COVID-19 është në duart e FDA”, tha shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla përmes një video.

Ndërkaq, përmes një deklarate, të dy kompanitë thanë se janë të gatshme të nisin shpërndarjen e vaksinës “brenda orësh pas autorizimit” dhe se autorizimi nga FDA do të mund të “bëjë të qasshëm vaksinimin e popullatës me rrezikshmëri të lartë në SHBA nga mesi dhe fundi i dhjetorit të vitit 2020”.

Më herët gjatë këtij muaji, Pfizer dhe BioNTech njofton se gjetjet e fazës 3 të vaksinës së tyre, treguan se vaksina është e sigurt dhe 95 për qind efektive.

Ende është e paqartë se kur FDA do të marrë vendim lidhur me vaksinën, por autoritetet shëndetësore amerikane kanë shprehur optimizmin e tyre se miratimi mund të ndodhë në muajin dhejtor.

Nëse vaksina miratohet, kompanitë kanë thënë se do të ofrojnë 50 milionë doza për mbarë botën më 2020, ndërkaq më 2021 numri i dozave të vaksinës mund të arrijë deri në 1,3 miliard. Qytetarët që do ta marrin këtë vaksinë, është thënë se do të marrin dy doza, brenda tre javësh.

Në SHBA, punëtorët shëndetësorë, njerëzit me rrezikshmëri më të lartë dhe punëtorët thelbësorë federalë pritet që të jenë të parët që do të vaksinohen. Zyrtarët në SHBA thonë se do të ketë vaksina të mjaftueshme deri në prill të vitit 2021, që popullata të mund të vaksinohet.

Vlerësimi i vaksinës do të nisë menjëherë

Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA) në SHBA ka thënë se do të nisë menjëherë vlerësimin e rezultateve e vaksinës së Pfizer dhe BioNTech për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, raporton AFP.

FDA ka thënë se do të koncentrohet në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës, që sipas dy kompanive janë 95 për qind.

Komisioneri i FDA, Stephen Hahn tha se procesi i miratimit do të përfshijë edhe takime publike të komitetit këshillëdhënës të kësaj administrate, ku bëjnë pjesë ekspertë të sëmundjeve infektuese, specialistë të pediatrisë, bioanalistë dhe përfaqësues të industrisë.

Megjithatë, rekomandimet e këtij komiteti nuk janë të obligueshme që të zbatohen, pasi vendimin final se nëse vaksina do të miratohet për përdorim e japin shkencëtarët e Administratës për Ushqim dhe Barna.

Drita e gjelbër, në dhjetor

FDA pritet që të miratojë përdorimin e vaksinës në dy javët e para të dhjetorit, ka thënë Moncef Slaoui, shefi kryesor i një iniciative të Qeverisë amerikane për zhvillimin e vaksinës për koronavirus.

Megjithatë, vaksina pritet t’iu jepet një pjese të caktuar të popullatës botërore.

Fëmijët, për shembull, nuk do të vaksinohen, pasi Pfizer ende nuk ka kryer testime të gjera të vaksinës për grupmoshat nën 18 vjeç.

Ndërkaq, agjencia tjetër federale amerikane, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të përcaktojnë se kush ka prioritetet që të vaksinohet. Megjithatë, pritet që punëtorët shëndetësorë dhe më të moshuarit të jenë të parët që do ta marrin vaksinën.

Në Evropë, Britani, Kanada, Japoni e Australi, megjithatë, ka një proces të ndryshëm dhe këto shtete vazhdimisht po shqyrtojnë të dhënat që po marrin nga kompanitë që po zhvillojnë vaksinat e tyre kundër koronavirusit.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Evropë, drita e gjelbër për vaksinën pritet të jepet në pjesën e dytë të muajit dhjetor.

Shpërndarja e vaksinës

Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se menjëherë pas miratimit të FDA, do të jenë në gjendje që “brenda orësh”të nisin shpërndarjen e vaksinës.

Vaksina e tyre duhet të ruhet në -70 gradë celsius, që është një temperaturë më e ftohtë sesa që ruhen vaksinat e tjera.

Dy kompanitë kanë thënë se dozat e vaksinës do të shpërndaheshin me kontejnerë të mbushur me akull, që do të mundësonte që vaksina të qëndrojë në temperaturën e duhur për 15 ditë.

Vaksinat e tjera, në fillim të vitit 2021

Përveç Pfizer dhe BioNTech edhe kompani të tjera janë duke punuar në zhvilimin e vaksinave të tyre kundër koronavirusit.

Kompania Moderna, që ka thënë se vaksina e saj për koronavirus në bazë të të dhënave është mbi 90 për qind efektive, do të nisë shpërndarjen në muajin shkurt të vitit 2021, kur pritet që edhe vaksina e kompanisë Johnson&Johnson të jetë gati. Pas disa muajsh edhe AstraZeneca/Oxford pritet të nisin shpërndarjen e vaksinës së tyre.

Pavarësisht se lajmet për shënim të përparimit drejt zbulimit të një vaksine kundër koronavirusit kanë rritur shpresat se pandemia e koronavirusit mund të frenohet, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se zbulimi eventual i vaksinës nuk do të mjaftojë që pandemia të përfundojë.

"Vaksina do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk do t'i zëvendësojë ato", deklaroi më herët gjatë kësaj jave drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins deri më tani, në mbarë botën janë regjistruar mbi 57 milionë raste me koronavirusin e ri, ku 1,3 milionë pacientë kanë vdekur./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat