COVID, 60 milion numri i të infektuarve në botë, 1.4 milion të vdekur

Bota

COVID, 60 milion numri i të infektuarve në botë, 1.4 milion të vdekur

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 20:22
Foto ilustrim

Numri global i rasteve të konfirmuara të koronavirusit arriti në 60 milion të mërkurën, ndërkohë që ritmi i infektimeve të reja po përshpejtohet dhe Shtetet e Bashkuara po raportojnë shifra rekord shtrimesh në spital.

Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara, vendi më i prekur në botë, u kërkuan amerikanëve të qëndronin në shtëpi për festën e Falenderimeve, pasi numri në rritje i pacientëve me COVID-19 i po i vë në provë kapacitetet e spitaleve dhe të personelit mjeksor.

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar 1 milion raste të reja me COVID-19 në më pak se një javë, me një numër total prej rreth 12.5 milion dhe me rreth 260,000 të vdekur.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raportuan të mërkurën 12,498,734 raste të koronavirusit, një rritje prej 165,282 nga një ditë më parë dhe thanë se numri i vdekjeve ishte rritur me 1,989 në 259,005.

Në shkallë botërore, infeksionet arrijnë në 60.005 milion ndërsa vdekjet në 1.4 milion.

U deshën vetëm 17 ditë për të kaluar nga 50 milion në 60 milion raste, krahasuar me 21 ditët që u deshën për të kaluar nga 40 në 50 milion raste. Rreth 580,000 raste janë raportuar çdo ditë gjatë javës së kaluar dhe rreth gjysma e të gjitha rasteve që nga fillimi i pandemisë janë raportuar në 70 ditët e fundit.

Në Evropë, 1 milion raste të reja u regjistruan për vetëm pesë ditë, duke kapur një total prej më shumë se 16 milion rastesh, përfshirë 365,000 vdekje.

Qeveritë në të gjithë Evropën po përpiqen të vendosin kufizime në jetën publike për të lejuar familjet të festojnë Krishtlindjet pa shpërthime të reja të virusit.

Ndërsa bllokimi në shkallë vendi në Angli pritet të përfundojë javën e ardhshme, Gjermania, Spanja dhe Italia kanë njoftuar kufizime gjatë periudhës së pushimeve.

Rajoni i Amerikës Latine ka numrin më të lartë të vdekjeve të raportuara në botë, që përfaqëson rreth 21% të të gjitha rasteve globale dhe mbi 31% të të gjitha vdekjeve globale të raportuara.

Javën e kaluar Brazili iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe Indisë si vendet e vetme që kanë regjistruar më shumë se 6 milion infeksione. Me gati 170,000 viktima të konfirmuara, Brazili ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në botë.

Ndërsa India mbetet vendi i dytë më i prekur në botë me pothuajse 9.2 milion raste, ajo ka vazhduar të raportojë një ngadalësim të rasteve të reja në javët e fundit. India ka raportuar një mesatare prej rreth 44,000 rastesh në ditë gjatë javës së kaluar, shumë më pak se sa pika kulmore prej rreth 97,900 rastesh në mes të shtatorit.

Vendet e Azi-Paqësorit si Kina, Koreja e Jugut, Singapori, Australia dhe Zelanda e Re kanë treguar se marrja e masave të shpejta, në shkallë lokale dhe detyruese mund të ketë efekt në shuarjen e shpërthimeve të virusit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat